Ndërlidhjet

BDI-ja fton partitë shqiptare për unifikimin e agjendës për çështjet etnike


Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka ftuar për të shtunën liderët e partive politike shqiptare në një takim për të harmonizuar qëndrimet lidhur me çështjet që janë në interes të shqiptarëve, para nisjes së bisedimeve për formimin e qeverisë së re.

Nisma e Ahmetit vjen pas rezultatit të ngushtë mes partive politike maqedonase, VMRO dhe LSDM, të cilat nuk do të mund të formojnë qeverinë pa koalicionin me të paktën dy parti politike shqiptare, por edhe për shkak të rezultatit jo të favorshëm të BDI-së, e cila ka një përgjysmim të mandateve nga përbërja e kaluar parlamentare.

“BDI-ja në zgjedhjet e fundit ka dalë me platformë të qartë, me pesë përbetimet e saja, mirëpo për hir të konstruktivitetit, ne në takimin e së shtunës nuk do të imponojmë agjendën apo platformën tonë, pasi dëshirojmë të kemi një takim të hapur, ku secili do të ketë mundësinë të jep qëndrimet veta dhe kontributin për krijimin e një platforme shqiptare, për shkak të kontestit historik të krijuar, ku shqiptarët duhet të përcaktojnë ose të jenë çelësi i qeverisë së ardhshme”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Çështjet për të cilat partitë shqiptare duhet të merren vesh kanë të bëjnë me zyrtarizmin e gjuhës shqipe, zgjidhjen e kontestit të emrit - që do të përshpejtonte integrimin euroatlantik - statusin e ish ushtarëve të UÇK-së, ndarjen e barabartë të buxhetit, drejtimin e njërit nga postet më të larta në shtet, aspektet e përfaqësimit në institucione dhe çështje tjera.

Nga Lëvizja BESA ende nuk kanë një qëndrim të qartë nëse do të marrin pjesë në takim, edhe pse mbështesin harmonizimin e qëndrimeve mes partive shqiptare.

“Do të ishte mirë që të ndodhte diçka e tillë, edhe pse do të jetë e vështirë, duke marrë parasysh se në çka janë të përfshira partitë politike, sidomos këto që janë aktualisht në pushtet. Ato nuk e kanë as kredibilitetin e as legjitimitetin e popullit që të thirren në një gjë të tillë. Nuk e dimë se cili është relacioni me partinë maqedonase në pushtet."

"Pra, ka shumë pikëpyetje. Megjithatë, ne si subjekt i ri politik do të bëjmë të pamundurën, ose do të bëjmë gjithçka që është në dobi të shqiptarëve dhe qytetarëve të Maqedonisë”, ka deklaruar Afrim Gashi, nënkryetar i Lëvizjes BESA, e cila në zgjedhjet e 11 dhjetorit doli partia e dytë shqiptare, me 5 mandate të fituara.

Partia e tretë që në zgjedhje mori tre mandate është “Aleanca për Shqiptarë”, një koalicion i përbërë nga tri parti politike. Kreu i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Zijadin Sela thotë se qeveria e re është në duart e shqiptarëve dhe partitë e tyre përfaqësuese, sipas tij, duhet të shfrytëzojnë këtë rast për të mbyllur shumë çështje që nuk kanë marrë zgjidhje edhe 15 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

“Mendoj se është një moment historik që t'i zgjidhim disa çështje të hapura që ju interesojnë shumë shqiptarëve, që të mos jemi të detyruar që më pas apo në zgjedhjet e ardhshme t’iu premtojnë shqiptarëve gjuhën shqipe, por këtë ta bëjmë tani”, ka deklaruar Ziadin Sela, nga koalicioni “Aleanca për Shqiptarët”.

Subjekti tjetër politik që pritet të jetë pjesë e bisedimeve është Partia Demokratike Shqiptare, por ajo për momentin po përballen me zhvillime të brendshme, pas dorëheqjes së parevokueshme të kreut të saj, Menduh Thaçi. Kjo parti në zgjedhje është radhitur e fundit, me vetëm dy mandate, nga shtatë deputetë që kishte në përbërjen e fundit. Por, pavarësisht kësaj, edhe dy mandatet e saj mund të kenë rol kyç në qeverinë e re.

VMRO dhe LSDM kanë nga 51, përkatësisht 49 deputetë, ndërsa partitë shqiptare 20. Për formimin e qeverisë së re nevojiten 61 vota. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG