Ndërlidhjet

Vizitë historike e kryeministrit Abe dhe presidentit Obama në Pearl Harbor


Zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të Japonisë, që ishin armiq gjatë luftës, e kanë bërë një vizitë të përbashkët prekëse në Pearl Harbor, të martën vonë, duke paraqitur deklarata simbolike për fuqinë e pajtimit dhe kanë tërhequr vërejtjen kundër luftës.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, dhe presidenti amerikan, Barack Obama, kanë bërë një vizitë historike në vendin e sulmit shkatërrues e befasues të Japonisë, që i përfshiu Shtetet e Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore.

“Si kryeministër i Japonisë, unë ofroj ngushëllime të sinqerta dhe të përjetshme për ata që i kanë humbur jetët e tyre këtu dhe për shpirtërat e të gjithë atyre burrave dhe grave, që jetët e tyre u morën nga lufta, që filloi në këtë vend. Po ashtu, ofroj ngushëllime për njerëzit e pafajshëm, që u bënë viktima të luftës”, tha Shinzo Abe.

Ai nuk ka kërkuar falje për sulm por tha se “ne nuk duhet kurrë t’i përsërisim tmerret e luftës”, raporton agjencia AP.

Zoti Abe tha se botës i duhet “shpirti i tolerancës”.

“Tmerret e luftës nuk janë çrrënjosur nga sipërfaqja e botës. Ende nuk ka përfunduar spiralja, ku urrejtja e krijon urrejtjen. Botës i duhet shpirti i tolerancës dhe fuqia e pajtimit, e veçanërisht tash”, tha Shinzo Abe.

Presidenti amerikan, Barack Obama, e falënderoi mysafirin e tij duke thënë se “ju mirëpres juve këtu në frymën e miqësisë” dhe shtoi se “shpresoj se së bashku ne dërgojmë mesazh në botë se më tepër duhet të fitohet në paqe se në luftë, se pajtimi bartë me vete më tepër përfitime se ndëshkime”.

“Ju falënderoj juve për praninë këtu, që është gjest historik, që flet për fuqinë e pajtimit dhe për aleancën ndërmjet popujve të Amerikës dhe Japonisë; është përkujtim se edhe plagët më të thella të luftës mund të japin drejtim për miqësi dhe paqe të përhershme”, tha presidenti amerikan, Barack Obama.

Zoti Obama është shprehur për lidhjen ndërmjet dy vendeve.

“Sot, aleanca ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë, e lidhur jo vetëm nga interesat e përbashkëta, por edhe nga rrënjet e vlerave të përbashkëta, qëndron si gurthemel i paqes dhe stabilitetit në Azi-Paqësor dhe forcë për progres në gjithë globin. Aleanca jonë kurrë nuk ka qenë më e fuqishme. Në kohë të mira dhe të këqia ne jemi aty për njëri-tjetrin”, tha presidenti, Barack Obama.

Pas një ceremonie të shkurtër, Obama dhe Abe u përshëndetën me disa veteranë amerikanë që e kishin mbijetuar sulmin në Pearl Harbor.

Më herët këtë vit, zoti Obama e vizitoi Hiroshimën, që ishte rasti i parë që një president amerikan në detyrë, e viziton këtë qytet, ku Shtetet e Bashkuara e hodhën bombën e parë atomike në vitin 1945, duke i vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe e detyruan Japoninë të nënshkruante kapitullim.

Shinzo Abe është lideri i parë japonez, që e vizitoi memorialin mbi anijen e zhytur amerikane, USS Arizona, në Pearl Harbor, ku qindra pjesëtarë të marinës amerikane mbeten të varrosur në mbeturinat e anijes.

Më 7 dhjetor të vitit 1941, ndodhi sulmi i befasishëm dhe shkatërrues ajror i Japonisë, nga i cili u vranë afro 2,400 ushtarë amerikanë. Kjo i detyroi Shtetet e Bashkuara që të përfshihen në Luftën e Dytë Botërore.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG