Ndërlidhjet

SHBA: 300 ushtarë dërgohen në pjesën jugore të Afganistanit


Ushtarët amerikanë në Afganistan

Autoritetet ushtarake amerikane kanë shpallur se do t’i dërgojnë afro 300 trupa në pjesën jugore të Afganistanit këtë pranverë, në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO-ja për trajnimin e forcave afgane.

Trupat do të vendosen në provincën jugore të trazuar Helmand, që është skenë e luftimeve të ashpra ndërmjet talibanëve dhe forcave afgane, gjatë muajve të fundit.

Pjesa më e madhe e territorit të kësaj province strategjike, ku prodhohet drogë, është nën kontroll të militantëve, ndërsa vetëm kryeqyteti provincial, Lashkar Gah, është plotësisht nën kontroll të qeverisë.

“Përafërsisht 300 marinsa do të vendosen në provincën Helmand në Afganistan, në pranverë të vitit 2017, në përkrahje të misionit Mbështetja Vendimtare, që udhëhiqet nga NATO-ja”, thuhet në kumtesën e publikuar mbrëmë vonë nga Marina e Shteteve të Bashkuara.

Afro 10 mijë ushtarë amerikanë mbeten në Afganistan, prej se pjesa më e madhe e forcave të NATO-s është tërhequr në vitin 2014.

Prej tërheqjes, forcat afgane kanë bërë përpjekje për t’i dëbuar talibanët, të cilët kanë marrë më shumë territor se asnjëherë më parë, prej invadimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2001.

XS
SM
MD
LG