Ndërlidhjet

Partitë taktizojnë, presin afatin e fundit për qeverinë


Kuvendi i Maqedonisë (Foto nga arkivi)
Kuvendi i Maqedonisë (Foto nga arkivi)

Pas bisedimeve me mandatarin për formimin e Qeverisë së re, Nikolla Gruevski, njëherësh kryetar i VMRO DPMNE-së, por edhe liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, po vazhdon me konsultimet brenda-partiake, deri në marrjen e vendimit përfundimtar se me cilën parti politike maqedonase do të bëjë koalicionin për qeverinë e re.

Dhjetë mandatet e fituara në zgjedhjet e 11 dhjetorit janë vendimtare për formimin e qeverisë së re, andaj ajo edhe është e kujdesshme në marrjen e vendimit, ndërsa ka përcaktuar edhe tri kritere, të cilat thotë se janë të panegociueshme si zyrtarizimi i gjuhës shqipe, puna e papenguar e Prokurorisë Speciale, si dhe integrimi në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Kjo ka ndikuar që BDI-ja tani t'i rishqyrtojë koalicionet, pra t'i peshojë se sa mund të fitojë nga koalicioni eventual me VMRO DPMNE-në dhe sa do të finte në rast se do të shkonte në koalicion me LSDM-në e Zoran Zaevit. Por, siç dihet edhe bashkësia ndërkombëtare sikur preferon një koalicion me LSDM-në për shkak të deklarimeve të tij për një shoqëri qytetare".

"Mirëpo, mosparaqitja e Zoran Zaevit, mosdeklarimi i tij për kërkesat shqiptare, mund të konstatojmë se edhe LSDM-ja kalkulon se sa mund të fitojë apo të humbë nëse hyn në koalicion me partitë shqiptare duke pranuar kërkesat e tyre që janë pjesë e deklaratës politike”, thotë Selim Ibrahimi, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës përzhvillim dhe studime të sigurisë.

Deri më 29 janar mandatari Nikolla Gruevski duhet të formojë shumicën e re ose në të kundërtën të kthejë mandatin e marrë nga presidenti Ivanov, i cili në bazë të praktikave të deritanishme, të drejtën e formimit të qeverisë duhet t’ia delegojë partisë së dytë, LSDM-së, së Zoran Zaevit.

Analisti Nikolla Dujovski pret vështirësi në arritjen e koalicionit ndërmjet VMRO-së dhe BDI-së dhe si mundësi të tjetër e sheh nisjen e bisedimeve ndërmjet LSDM-së dhe partisë së Ahmetit

“Mendoj se është legjitime që BDI-ja të negociojë edhe me VMRO-në edhe me LSDM-në, por vetë do të vlerësojnë se cili do të jetë varianti më i mirë se me cilën parti do të përfshihen në qeveri. Mendoj se besimi me VMRO-në është ulur shumë, andaj edhe gjasat për një koalicion janë ngushtuar, ndërsa nga ana tjetër koalicioni me LSDM-në do të ishte një tjetër mundësi, por në këtë rast do të ishte e nevojshme që t'i bashkëngjitet edhe ndonjë parti tjetër politike shqiptare për të arritur numrat e nevojshëm”, thotë Dujoski.

Sipas tij, varianti më i keq për të vendin, por edhe për partitë politike do të ishte formula për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare:

“Për momentin, vlerësoj se asnjëra nga partitë nuk duhet të insistojë në zgjedhje të reja parlamentare pasi vlerësoj se kushte për zgjedhje ne nuk kemi. Kundër kësaj është edhe faktori ndërkombëtar, por do të jetë edhe opozita për shkak të rrethanave të ndryshme nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, të cilat u mbajtën në rrethana dhe kushte të një qeverie të zgjeruar me mandatin për organizimin e zgjedhjeve”, thekson Dujoski.

Edhe Selim Ibrahimi nga Qendra për zhvillim dhe studime të sigurisë nuk rekomandon zgjedhje të reja, por në rast të të dështimit të bisedimeve ai thotë se do të ishte mirë të ketë një qeveri të zgjeruar.

"Në kushtet, në të cilat gjendet Maqedonia, situata aktuale politike i përshtatet një qeverie të emergjencës, e cila do të duhej të merrej me çështjen e reformave. Pra, do të ishte një qeveri me mandat të caktuar dhe që do të përfundonte proceset që kanë ngecur, pra duke filluar nga reformat në gjyqësi, në media, në raport me kërkesat shqiptare, sigurisht edhe më proceset euro-integruese dhe raportet me Greqinë”, thotë Selimi.

Sipas analistëve, çdo dështim i bisedimeve mund të thellojë edhe më shumë krizën politike të pranishme për gati tre vjet si rezultat i asaj që njihet si aferë e përgjimeve që nxori në sipërfaqe shpërdorime të shumta të pushtetit nga zyrtarët aktual.

Shumë prej tyre, përfshirë edhe mandatarin Nikolla Gruevsi janë pjesë e hetimeve dhe akuzave të ngritura nga Prokuroria Speciale, organ ky që edhe ka shkaktuar përplasjet më të mëdha ndërmjet partive politike.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG