Ndërlidhjet

SHBA: Senati e konfirmoi Pompeon, por Tillerson kishte probleme


Mike Pompeo
Mike Pompeo

Senati i Shteteve të Bashkuara mbrëmë vonë me lehtësi e ka konfirmuar Mike Pompeo për drejtor të CIA-s, ndërsa Komiteti për marrëdhënie të jashtme i Senatit me vetëm një votë më tepër e miratoi Rex Tillersonin për sekretar amerikan të shtetit.

Të dy këta kandidatë janë nominuar nga presidenti, Donald Trump.

Senati votoi 66 për dhe 32 kundër, që ish-kongresisti, Mike Pompeo, të bëhet drejtor i ri i agjencisë CIA.

Nga ana tjetër, në Komitetin për marrëdhënie të jashtme të Senatit, për zotin Tillerson votuan 11 vetë, ndërsa kundër tij ishin 10 anëtarë të këtij komiteti.

Kryesuesi i komitetit, Bob Corker, tha se “nuk ka dyshim” se Tillerson është kandidat i mirë dhe e ka përmendur punën e tij udhëheqëse në korporatën energjetike, Exxon Mobil.

Por, senatori demokrat, Ben Carden, tha se e kundërshton Rex Tillersonin në bazë të përgjigjeve të tij në pyetjet lidhur me sanksionet kundër Rusisë dhe çështjet e tjera të rëndësishme globale, që më tepër tingëllonin sikur përgjigjej një ekzekutiv biznesor e jo një sekretar i ardhshëm i shtetit.

Megjithatë, Tillerson pritet që do të konfirmohet në përbërjen e plotë të Senatit, ku republikanët e kanë shumicën prej 52 anëtarëve.

XS
SM
MD
LG