Ndërlidhjet

Rusi: Arrestimet e zyrtarëve të sigurisë mund të kenë lidhje me sulmet kibernetike në SHBA


Ilustrim

Mediat ruse raportojnë se një tjetër oficer i Shërbimit të Sigurisë Federale në Rusi (FSB) është arrestuar me akuzën për tradhëti të lartë në një rast që mund të ketë lidhje me sulmet kibernetike ndaj fushatës zgjedhore presidenciale në SHBA.

Ky është rasti i dytë pas atij për të cilin raportoj gazeta Kommersant ku u tha se një zyrtar i lartë i departamentit të inteligjencës kibernetike në FSB, agjencinë më të rëndësishme të sigurisë në Rusi, është arrestuar.

Raportimet në media ruse thonë se nënshefi i Qendrës për Sigurinë e Informacionit në FSB, Sergei Mikhailov, është arrestuar në muajin dhjetor me akuzën për tradhëti.

Në muajin dhjetor raportohet të jetë arrestuar edhe meaxheri i një kompanie të njohur ruse për sigurinë kibernetike.

Laboratori “Kaspersky” ia ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë arrestimin e menaxherit të saj, Ruslan Stoyanov.

Më 26 janar, raportimet në disa media thonë se një tjetër zyrtar i FSB-së është arrestuar muajin e kaluar, duke e identifikuar të dyshuarin si Majorin Dmitry Dokuchayev.

Ky i fundit e ka udhëhequr një tjetër njësi brenda Qendrës për Sigurinë e Informacionit dhe besohet se ka shërbyer nën Mikhailovin.

Në fillim të muajit janar, udhëheqësit e agjencive amerikane të inteligjencës i kanë thënë një komisionit të Senatit amerikan se Rusia ka kryer sulme kibernetike ndaj procesit zgjedhor në SHBA.

Një nga agjencitë e lajmeve ruse raporton se Mikhailov ka pasur lidhje me një grup hakerësh rusë që njihen me emrin “Humpty Dumpty”.

XS
SM
MD
LG