Ndërlidhjet

Prishtina dhe Beogradi s'e komentojnë takimin; Mogherini vlerëson 'angazhimin konstruktiv'


Bruksel, 1 shkurt 2017.
Bruksel, 1 shkurt 2017.

Në Bruksel ka përfunduar takimi i radhës midis Kosovës dhe Serbisë, i dyti në tetë ditë.

Përfaqësuesit e dy palëve nuk kanë bërë asnjë koment për mediat, ndërsa shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, si ndërmjetësuese e dialogut, tha se "është e inkurajuar me angazhimin konstruktiv, që kanë treguar të dyja palët".

"Ky angazhim dhe vullnet politik kontribuon ndjeshëm në reduktimin e tensioneve dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë frymë", tha Mogherini përmes një deklarate me shkrim.

"Dialogu është një proces shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për rajonin dhe Bashkimin Evropian. Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve është i rëndësishëm për të ruajtur paqen dhe për të avancuar drejt BE-së. Kjo është thelbësore për Evropën dhe stabilitetin rajonal", tha Mogherini.

Ajo shtoi se të gjithë pjesëmarrësit në bisedime "kanë rikonfirmuar angazhimin e tyre për të punuar së bashku brenda dialogut".

Mogherini, edhe kësaj radhe, ka ftuar edhe kryeministrat, edhe presidentët e dy vendeve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përpara takimit, i tha Radios Evropa e Lirë se pret që “tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ulen edhe më shumë” dhe që “dialogu i rinisur të çojë drejt pajtimit dhe bashkëpunimit”.

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, i tha radio-televizionit serb se Beogradi do të këmbëngulë në formimin e Asociaionit të komunave me shumicë serbe.

Në takimin e javës së kaluar, palët janë pajtuar të ulin tensionet dhe të vazhdojnë bisedimet, me në fokus zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.

Tensionet midis tyre kanë nisur me ndërtimin e një muri në pjesën veriore të Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe, dhjetorin e kaluar. Pastaj, në fillim të janarit, autoritetet franceze kanë ndaluar ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në bazë të një urdhër-arresti të Serbisë. Kjo e fundit vazhdon të kërkojë ekstradimin e tij.

Piku i tensioneve është shënuar në mes të janarit, kur Kosova ka ndaluar hyrjen në territorin e saj të një treni të nisur nga Serbia, me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Autoritetet në Prishtinë e kanë cilësuar trenin si provokim për sovranitetin. Ato në Beograd kanë thënë se Prishtina ka nxitur konflikt, duke dërguar njësite të posaçme policore në veri.

Për rrjedhojë, BE-ja, më 24 janar, ka thirrur përfaqësuesit më të lartë të të dyja shteteve, kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq dhe presidentët Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikolliq, për të shtensionuar situatën dhe për t’iu kërkuar palëve të heqin dorë nga retorika nxitëse.

Ka qenë ky takimi i parë në nivel të lartë në gati një vit.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve, në prill të vitit 2013. Ekipet teknike janë takuar pothuajse rregullisht për mënyrat e zbatimit të saj, por shumë nga çështjet e dakorduara kanë mbetur vetëm në letër.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur kapituj të negociatave të anëtarësimit.

Së voni, Beogradi ka shprehur shqetësimin se administrata e re amerikane mund t’i bëjë presion për njohje të sovranitetit të Kosovës, përpara anëtarësimit në BE.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG