Ndërlidhjet

Thaçi: Kosova e dëshmoi qysh në Rambuje se është për dialog


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Konferenca e Rambujesë, 18 vjet më parë, ishte konferenca e parë ndërkombëtare me përfaqësim gjithëpërfshirës të Kosovës, tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në rrjetin social Facebook.

“Edhe atëherë dëshmuam se jemi për dialog dhe paqe, duke besuar në vlerat evropiane dhe në përkrahjen e miqve tanë ndërkombëtarë”.

“Ne iu kemi qëndruar besnikë këtyre vlerave, të cilat i kemi shndërruar në udhërrëfyes për rolin dhe angazhimin e shtetit tonë si anëtar konstruktiv i bashkësisë ndërkombëtare dhe model për ndërtimin e paqes. Kjo konferencë ishte pikënisje e çlirimit dhe më pas e pavarësimit të Kosovës”, shkruan Thaçi.

Në këtë konferencë, që u mbajt nën organizimin e bashkësisë ndërkombëtare, më 6 shkurt të vitit 1999, morën pjesë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë.

Konferenca që zgjati 17 ditë, nuk solli nënshkrimin e dokumentit të mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare, për zgjidhjen e krizës në Kosovë, kurse Grupi i Kontaktit vendosi që negociatat të vazhdojnë më 15 mars në Paris.

Rrethi i dytë i negociatave përfundoi me nënshkrimin e dokumentit nga pala shqiptare dhe refuzimin e palës serbe.

Një javë më vonë, më 24 mars, filloi bombardimi i caqeve serbe nga NATO-ja.

XS
SM
MD
LG