Ndërlidhjet

Berlini e dënon vandalizmin e deputetit ukrainas në ambasadën gjermane në Kiev 


Deputeti ukrainas, Honçarenko
Deputeti ukrainas, Honçarenko

Një deputet nga Ukraina që e ka pranuar se e ka dëmtuar një pjesë të Murit të Berlinit në hapësirën e ambasadës gjermane në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ka nxitur reagim të ashpër nga Berlini.

Oleksij Honçarenko, pjesëtar i partisë së presidentit ukrainas, Petro Poroshenko, ka thënë se akti i tij i vandalizmit, është bërë si protestë ndaj një deklarate të ambasadorit gjerman në Kiev rreth zgjedhjeve potenciale që mund të mbahen në zonat e Ukrainës lindore që kontrollohen nga separatistët pro rusë.

Honçarenko e ka shkruar fjalën “Nein” apo jo në gjermanisht, me ngjyrë të kuqe, në një copë të murit të Berlinit, më 8 shkurt. Ligjvënësi që gëzon imunitet nga ndjekja ligjore, e ka publikuar një fotografi të aktit të tij në Facebook dhe ka shkruar se muri ka qenë “simbol i qartë i okupimit të fundit të Rusisë në Evropë”.

Ambasadori gjerman, Ernst Reichel, është përballur me kritika në Ukrainë pasi gjatë një interviste ka thënë se zonat e kontrolluara nga rebelët, ndoshta nuk duhet të jenë në tërësi të pastruara nga ushtarët rusë nëse duhet të mbahen zgjedhje atje.

Zgjedhjet dhe tërheqja e të gjitha “formacioneve të ushtrive të huaja” dhe mercenarët janë në mesin e hapave që kërkohen sipas marrëveshjes së dytë të Minskut që ka për qëllim t’i jepet fund luftimeve në Ukrainën lindore.

Koha dhe detajet e këtyre hapave janë pjesë e diskutimeve që kanë për qëllim dhënien fund të luftës, e cila nga prilli i vitit 2014 ka marrë jetën e 9750 personave.

Rusia e ka mohuar përfshirjen në këtë luftë, ndonëse ka mjaftë dëshmi që thonë se ata përkrahin separatistët.

Disa deputetë ukrainasë i kanë bërë thirrje Berlinit ta zëvendësojnë Reichelin pas komenteve të tij, por Gjermania i ka ofruar mbështetje ambasadorit të saj.

Rreth incidentit të shkaktuar nga deputeti Honçarenko, zëdhënësi i ministrisë së jashtme gjermane, Martin Shaefer ka thënë se punonjësit e ambasadës në Kiev, kanë bërë përpjekje që ta ndalojnë Honçarenkon, por ata janë tërhequr kur ai e ka përmendur imunitetin e tij si deputet.

Schaefer e ka quajtur këtë si “sjellje tërësisht të papërshtatshme”.

Ai ka thënë se Gjermania e konsideron Ukrainën “partner të afërt” ndërsa ka kujtuar se Berlini është ndër të parët kryeqytete që kanë nënshkruar marrëdhënie diplomatike me Kievin pasi Ukraina e ka shpallur pavarësinë nga BRSS, para 25 vjete.

Ai ka thënë se Gjermania, e cila krahas Francës përkrahin negociatat në mes të Ukrainës dhe Rusisë për konfliktin në Ukrainën lindore, është duke punuar që javën e ardhme të mbahet raundi i ri i negociatave.

XS
SM
MD
LG