Ndërlidhjet

Maqedonia, zgjedhje të reja apo zgjidhje për shqipen?


Foto nga zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni.

Partitë politike vazhdojnë taktizimet me oferta dhe kundër-oferta edhe 20 ditë pas dështimit të VMRO-së që të formojë qeverinë e re. BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët janë në pritje të përgjigjes nga LSDM-ja lidhur me vërejtjen e paraqitura ndaj propozimit që partia e Zoran Zaevit u kishte dërguar partive shqiptare, për avancimin e statusit të gjuhës shqipe dhe pikave tjera të platformës së partive shqiptare, disa prej të cilave janë kusht për pjesëmarrjen e tyre në qeverinë e re.

Dy partitë shqiptare që janë përfshirë në bisedime, ditë më parë thanë madje se do të ketë nga ana e tyre propozim krejt të ri për gjuhën shqipe.

Pa një marrëveshje me partitë shqiptare, LSDM-ja nuk mund të sigurojë 61 nënshkrime për të kërkuar mandatin nga Presidenti i shtetit për formimin e qeverisë së re.

Ndërkohë, edhe njohësit e çështjeve politike janë të ndarë në qëndrime lidhur me krizën politike dhe pozicionin e partive në bisedime.

Vlladimir Bozhinovski, nga Instituti për Hulumtime Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultati i ngushtë zgjedhor dhe platforma shqiptare tregojnë se Maqedonia vështirë se do të ketë qeveri të re, andaj zgjidhjen e sheh te zgjedhjet e reja parlamentare.

“Unë që nga 11 dhjetori e kam thënë dhe po e përsëris tani dy muaj, se duhet të ketë zgjedhje të reja parlamentare që të shmangen situata të tilla, pasi në relacionin e tanishëm të forcave mes partive, është e pamundur të formohet qeveri e re. Një qeveri me 61 apo 62 vota të deputetëve, jo katër, por as një vit nuk do të mund të mbijetojë. Nevojitet qeveri më stabile, e gatshme të çojë proceset para. Një qeveri me kushtëzime nga më të ndryshme nuk do të mund të mbijetojë”, vlerëson Bozhinovski.

Ai fton dy partitë politike maqedonase, VMRO dhe LSDM që të bahen bashkë dhe të shpallin zgjedhje të reja. Kjo, sipas tij, do të ishte përgjigja më e mirë ndaj platformës kushtëzuese të partive politike shqiptare, e cila sipas Bozhinovskit, rrënon themelet e karakterit unitar të shtetit të Maqedonisë.

“Pranimi i platformës së tillë, e cila u imponua pas zgjedhjeve, pasi para tyre, asnjë votues qoftë i VMRO-së apo i LSDM-së nuk dinte gjë, është tallje me vullnetin e votuesve. Pra, as VMRO-ja e as LSDM-ja nuk duhet të negociojnë, jo vetëm me BDI-në, por me asnjë parti tjetër që mbështetet në një platformë të tillë. Platforma e tillë duhet të hiqet nga agjenda si kusht për bisedime mes partive apo të shkohet në zgjedhje të reja, si zgjidhje e vetme për dalje nga kriza aktuale”, thotë Bozhinovski.

Por, ndryshe nga ai vlerëson Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike. Sipas tij, qytetarët në zgjedhje kanë votuar për ndryshime dhe kjo duhet të ndodhë sa më parë, thotë ai.

Ndërsa, i përket platformës shqiptare, Sinani mendon se ajo është reale, duke marrë parasysh shumë çështje të pazgjidhura etnike të shqiptarëve që nga pavarësia e Maqedonisë, apo që nga arritja e Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, në veçanti ajo që ka të bëjë me zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

“Mendoj se në këto negociata që po zhvillohen, duhet të ketë një përfundim, pasi ky pushtet duhet të ndërrohet. Këtë e deshën qytetarët shqiptarë, të cilët votuan edhe për LSDM-në, dhe votimi për këtë parti ishte votë popullore kundër Gruevskit. Sa i përket gjuhës shqipe, mendoj se Zaevi ka qenë i pari i cili e inicioi këtë çështje që ishte një hap i guximshëm. Tani, nëse do t’i jepej rasti një qeverisjeje ndryshe, besoj që gjuha shqipe do të duhej të ishte zyrtare ”, thekson Sinani.

Ai e vlerëson si të gabuar edhe kërkesën për zgjedhje të reja parlamentare.

“Maqedonisë nuk i duhen zgjedhje, por një qeveri stabile, demokratike, pro perëndimore. Maqedonisë i duhet një mentalitet i ri i qeverisjes, në të cilën shqiptarët do të jenë faktor i rëndësishëm dhe pasi janë faktor që vendosin, shqiptarët me plot të drejtë duhet ta dërgojnë në histori këtë gjeneratë të VMRO-së, e cila realisht Maqedoninë e solli në këtë gjendje”, konsideron Sinani.

Pas dështimit të partisë liderit të VMRO-së, Nikolla Gruevski që të formojë qeverinë e re, nuk ka një afat të përcaktuar me Kushtetutë se kur Presidenti do t'i japë mandatin ndonjë lideri tjetër partiak për nisjen e bisedimeve të reja. Ai ka thënë se këtë do ta bëjë pasi të jetë njoftuar nga ndonjëri prej tyre se ka siguruar numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë së re.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG