Ndërlidhjet

Dy matje të territorit të Kosovës - dy rezultate të kundërta


Demarkacioni me Malin e Zi

Komisioni shtetëror për matjen e territorit u ka dhënë garancitë e veta qytetarëve se Kosova nuk ka humbur territor me Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ndërkohë që një komision tjetër, i pavarur, ka konstatuar se me ratifikimin e demarkacionit aktual, Kosova do t’i falte Malit të Zi territor në sipërfaqe prej 70.44 km2.

Por, zëdhënësi i Komisionit shtetëror për matjen e territorit, Tomor Çela, ka thënë se territori i Kosovës mbetet i njëjtë, dhe se disa humbje kanë ndodhur vetëm me rastin e demarkacionit të kufirit me Maqedoninë, vite më parë, por jo edhe me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Këto komente, Tomor Çela i ka bërë pas përmbylljes së debatit rreth gjetjeve të prezantuara nga Komisioni shtetëror për matjen e territorit të Kosovës.

“Ne i sigurojmë të gjithë qytetarët e Kosovës se sipërfaqja e territorit të Kosovës do të vazhdojë të mbetet kjo që ka qenë nga viti 1974 deri më sot, me përjashtim të atyre zonave kadastrale (në vijën kufitare me Maqedoninë) të cilat ju kemi informuar mbi bazën e gjetjeve që ne i kemi pasur gjatë punës sonë”, ka thënë Çela.

“Në bazë të gjithë këtyre gjetjeve është vërtetuar se territori i Republikës së Kosovës është 10.905.25 km2”, ka theksuar ai.

Profesori Çela i ka ftuar ekspertët e pavarur dhe deputetët që po i kundërshtojnë gjetjet e Komisionit shtetëror që t’i prezantojnë faktet e tyre dhe të mos krijojnë huti në opinion.

Ai i ka kundërshtuar tezat, sipas të cilave, ky Komision është formuar vetëm për të bindur deputetët që të ratifikojnë demarkacionin me Malin e Zi në Kuvend, duke thënë se puna e Komisionit ishte profesionale dhe e paanshme.

Mirëpo, në anën tjetër, një komision i pavarur i prirë nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi ka prezantuar fakte të kundërta me Komisionin shtetëror.

Bulliqi ka thënë se puna e këtij komisioni të pavarur sjell si përfundim që me shënjimin e vijës kufitare, Kosova humb territor, kurse Mali i Zi, fiton sipërfaqe prej 70.44 km2.

“Në rast të ratifikimit të kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, Mali i Zi do të rris sipërfaqen e tij. Nga viti 1945 deri më 2015, Mali i Zi kishte më pak sipërfaqe sesa pas këtij demaskimi”, ka deklaruar Bulliqi.

Tutje, Bulliqi ka thënë po ashtu se Mali i Zi gjatë aplikimit dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare është pranuar me sipërfaqe prej 13. 812 km2 dhe jo me 13 882 44 km2, siç rezulton pas Marrëveshjes së arritur me Kosovën.

Kundër marrëveshjes aktuale me Malin e Zi është paraqitur edhe profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Zejnullah Gruda. Ai tha se kushtëzimi i liberalizimit të vizave me demarkacionin është i padrejtë.

“Neve tash na thonë, doni liberalizimin, edhe atë me një pafytyrësi të cilën unë në literaturë vetëm dy herë gjatë historisë e kam hasur, pra hiqni dorë prej territorit. E doni territorin, nuk e keni liberalizimin”, është shprehur Gruda.

Sidoqoftë, debatet për dhe kundër marrëveshjes aktuale me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare po vazhdojnë dhe pritet që një frymë e tillë të përcillet edhe në seancën e kuvendit, kur qeveria ta riprocedojë demarkacionin për ratifikim.

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, është vënë si kusht i pashmangshëm për liberalizimin e vizave nga ana e Komisionit Evropian. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG