Ndërlidhjet

Trump do ta ndërtojë murin në kufi me Meksikën “edhe para kohës”


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zotua se do të nisë ndërtimin e murit në kufi me Meksikën “edhe para kohës së paraparë”.

Në një fjalim në Konferencën e Veprimit Konservator Politik në Merillend, Trump tha se zyrtarët e migracionit dhe policia kufitare tashmë "po gjejnë kriminelë, tregtarë droge dhe imigrantë kriminelë" dhe po i hedhin ata jashtë vendit”.

“Do ta ndërtojmë murin. Do të nisë shumë shpejt. Përpara kohës së paraparë”, tha presidenti amerikan.

Ai shtoi se do të rrisë shpenzimet në ushtri, ndërsa duke folur për luftën kundër terrorizmit, tha se planifikon “të çrrënjosë Shtetin Islamik nga faqja e Tokës”.

Trump u zotua se “do t’i mbajë terroristët radikalë islamikë jashtë vendit” dhe përmendi Suedinë, Gjermaninë dhe Francën si vende ku imigracioni ka çuar në krim.

Trump po ashtu përsëriti kritikat për “lajmet e rreme” në media”.

“Ato janë armiq të njerëzve, sepse nuk kanë burime”, tha Trump.

Presidenti tha se administrata e tij planifikon veprime të guximshme për të hequr kufizimet mbi burimet e energjisë në SHBA, përfshirë shistin argjilor, gazin natyror dhe qymyrin.

Ai po ashtu u zotua se do të reduktojë tatimet për klasën e mesme amerikane.

XS
SM
MD
LG