Ndërlidhjet

LSDM-ja mandaton Zaevin për kryeministër, BDI-ja i jep mbështetje


Zoran Zaev (Foto nga fushata elektorale)

Lidhja Social-Demokrate ka mandatuar liderin e saj, Zoran Zaev, për kryeministër të Maqedonisë. Vendimi i miratuar nga organet më të larta të social-demokratëve ka pasuar mbështetjen që kjo parti mori nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim.

BDI-ja, në mbledhjen e së premtes, e cila ka përfunduar para mesnate, ka vendosur t'i japë nënshkrimet e deputetëve të saj që Zaev të mund të kërkojë nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, marrjen e mandatit për formimin e qeverisë së re.

Për t’u mandatar, lideri social-demokrat duhet të sigurojë edhe tri nënshkrimet e Aleancës Shqiptare, me të cilën po ashtu është në bisedime. Ndërkohë, mbështetjen ia ka premtuar edhe Lëvizja Besa. Kjo bën që Zaev të kërkojë mandatin nga Ivanov me 67 nënshkrime nga 61 sa janë të nevojshme.

Se a do t'ia japë mandatin Ivanovi, mbetet të shihet pasi ai paraprakisht ka paralajmëruar edhe mundësinë që nga Zaev të kërkojë edhe programin qeveritar, edhe pse në bazë të Kushtetutës i njëjti prezantohet dhe miratohet vetëm në Kuvend. Mbetet e paqartë edhe përbërja e qeverisë pas paralajmërimeve të BDI-së se mundet të mbetet në opozitë, por të mbështesë një qeveri të pakicës.

Ne tani po bisedojmë për këto dy variante, mbetjen në opozitë me mbështetje të qeverisë së pakicës ose participim në qeveri me marrëveshje të koalicionit. Ne miratuam vendimin për dhënien e mbështetjes për mandatin që të mund të zhbllokohen proceset që janë të lidhura me afate konkrete, siç janë edhe zgjedhjet lokale. Por, kjo nuk do të thotë se kemi marrëveshje për shkak se ne mund të vendosim që të mos marrim pjesë në qeveri dhe të mbetemi në opozitë, ose edhe po të vendosim ndryshe, duhet të kemi negociata për harmonizimin e programit të dy partive politike”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Ai ka bërë të ditur se mbetja në opozitë mund të ndodhë me të vetmin qëllim, zbardhjen nga një pozicion i tillë të të gjitha akuzave që janë bërë për qeverisjen e BDI-së në dhjetë vitet e fundit, siç ka thënë ai.

Por, njohësit e çështjeve politike thonë se në ndryshimin e qëndrimin të BDI-së kanë ndikuar lëvizjet te partia e Nikolla Gruevskit, e cila ka paralajmëruar masa të ndryshme për të kundërshtuar koalicionin LSDM-BDI dhe se në mesin e këtyre masave ka edhe materiale komprometuese.

“Mendoj se përfaqësuesit e BDI-së e kanë parë veten në ndonjërin prej këtyre hapave që i paralajmëron VMRO DPMNE-ja dhe kjo i ka kthyer në pikën zero të negociatave, respektivisht të procesin për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë. Është një qëndrim surprizë duke marrë parasysh se bëhet fjalë për parti, e cila njihet se me qëndrimet dhe këmbënguljet e saj për të qenë pjesë e qeverisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Isen Saliu, njohës i çështjeve politike dhe kryeredaktor i së përditshmes në gjuhën shqipe “Lajm”.

Ndërkohë, VMRO DPMNE-ja, partia që ka mbajtur pushtetin në Maqedoni për dhjetë vjet, ka ftuar të gjitha organet partiake nëpër qytete për mobilizim në mbrojtje të, siç thuhet, Kushtetutës dhe karakterit unitar të shtetit.

Në shumë qytete ka pasur tubime, ku ithtarë të partisë së Nikolla Gruevskit kanë kundërshtuar ashpër marrëveshjen mes LSDM-së dhe BDI-së lidhur me draft-ligjin për gjuhën shqipe. Protesta janë paralajmëruar edhe në ditët e ardhshme.

Njohësit e çështjeve politike thonë se gjendja mund të përkeqësohet, pasi, sipas tyre, qëllimi i Gruevskit më tepër është mbrojtja e vetes dhe njerëzve të afërt rreth tij, sesa kundërshtimi gjuhës shqipe.

Pero Dimshoski, ish-zyrtar i qeverisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se VMRO DPMNE-ja kompromise të ngjashme me BDI-në kanë bërë edhe në të kaluarën si për gjuhën, mënyrën e funksionimit të qeverisë, mbylljen e rasteve të Hagës e shumë çështje të tjera, por asnjëherë nuk e ka ngritur zërin si tani.

Ai vlerëson se reagimet e këtilla janë shprehje e drojës që në rast të mbetjes në opozitë, zyrtarët e saj mund të ndiqen penalisht lidhur me aferën e përgjimeve që edhe ka shkaktuar krizën aktuale.

“Mendoj se ekziston se frikë se mund të ketë epilog gjyqësor lidhur paditë dhe besoj se ky është motivi i reagimeve. Ata, dhjetë vjet ishin në koalicion me BDI-në, me të cilën bënë marrëveshje nga më të ndryshmet dhe tani papritmas dalin në mbrojtje të gjoja interesave kombëtare. Mendoj se pas kësaj ka qëllime tjera”, vlerëson Dimshoski.

Ndërkohë, nga VMRO DPMNE-ja, por edhe nga vetë presidenti Gjorge Ivanov, ka pasur sërish akuza për ndërhyrje nga jashtë në punët e brendshme të Maqedonisë duke aluduar në Tiranën zyrtare dhe kryeministrit Edi Rama, pas angazhimit në lehtësimin për arritjen e platformës shqiptare.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG