Ndërlidhjet

Polici afgan qëllon për vdekje 11 policë


Lashkar Gah, foto nga arkivi

Një polic afgan ka qëlluar për vdekje 11 kolegë të tij, teksa ata ishin në gjumë, në një pikë kontrolli në provincën jugore të Helmandit, kanë njoftuar zyrtarët.

Omer Zwak, zëdhënës i guvernatorit provincial, ka thënë se oficeri ka qëlluar me pushkë kolegët e tij policë më 27 shkurt, në Lashkar Gah.

Zwak ka thënë se sulmuesi më pas ua ka marrë armët dhe municionin viktimave të tij dhe është larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë të policisë. Supozohet se ai më pas iu është bashkuar talibanëve, të cilët kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Sulme të tilla të policëve dhe ushtarëve afganë kanë qenë një problem i madh gjatë luftës 15-vjeçare në Afganistan.

Forcat e sigurisë afgane janë duke luftuar me kryengritësit talibanë.

Lashkar Gah është njëra prej të paktave zona në Helman që aktualisht është nën kontrollin e qeverisë afgane.

XS
SM
MD
LG