Ndërlidhjet

Zvarritja e formimit të Qeverisë, bllokon mbajtjen e zgjedhjeve lokale


Shkupi

Zvarritja e procesit të formimit të Qeverisë së re të Maqedonisë bllokon dhe organizimin e zgjedhjeve lokale, që duhet të mbahen në maj të këtij viti.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, zgjedhjet lokale duhet t’i shpallë kryetari i Parlamentit 70 ditë para organizimit të zgjedhjeve përkatësisht ky afat skadon të hënën , po për shkak të moszgjedhjes së kryetarit të ri të Parlamentit, organizimi zgjedhjeve vendore është vënë në pikëpyetje.

Iniciativa Qytetare për një Maqedoni të përbashkët, mbështetëse e VMRO DPMNE, e cila për një javë është duke organizuar protesta kundër gjuhës shqipe, ka theksuar se do të vendoset si “mur i gjallë” për të penguar mbledhjen e Parlamentit, me vetiniciativë ku do të mund të zgjidhej kryetari i këtij institucioni, si dhe votimi i qeverisë së re dhe me këtë t`i hapej rrugë dhe organizimi të zgjedhjeve vendore .

Nga partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski , VMRO DPMNE edhe të dielën kanë theksuar se vendi mund të dalë nga kriza vetëm përmes organizimit të zgjedhjeve parlamentare bashkë me ato lokale .

“Afrohen zgjedhjet lokale dhe dalja më e mirë nga kriza do të ishte nëse Zoran Zaev inkurajohet dhe pajtohet të vendosë Platformën para qytetarëve. Me një shpenzim ata do të votojnë edhe për autoritetet lokale, por do të prononcohen edhe për Platformën nga Tirana”, thuhet në njoftim me shkrim të VMRO DPMNE-së.

Por, Lidhja Social -Demokrate e Maqedonisë konsideron se nuk mund të shkohet në zgjedhje me institucione të kapura, duke u thirrur dhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku theksohet si shumë problematik sistemi gjyqësorë i politizuar dhe institucionet e korruptuara.

Petre Shilegov nga Lidhja Social -Demokrate e Maqedonisë për Radion Evropa e Lirë thotë se partia që përfaqëson, pret që presidenti Gjorgje Ivanov të rishqyrtojë vendimin për t’i ndarë mandatin Zoran Zaevit, me këtë dhe të zhbllokojë procesin e ngritjes së institucioneve të shëndosha demokratike.

“Gjorgje Ivanov si president i shtetit në përputhje me Kushtetutën, patjetër këto ditë duhet të rishqyrtojë vendimin dhe të ndajë mandatin për kryeministër Zoran Zaevit dhe me këtë krijohen kushte për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit dhe kryetarin e Qeverisë së re të Maqedonisë dhe vetëm pas kësaj mund të hapet çështja e organizimit të zgjedhjeve parlamentare”, thotëShilegov.

Ndërkaq, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, e cila mori vendim që të jetë pjesë e Qeverisë së re të konstituuar nga Lidhja Social –Demokrate, thekson se zgjedhjet duhet të mbahen në afatin e paraparë për të mos bllokuar institucionet e pushtetit vendor, por pa precizuar formën e organizimit.

“Sigurisht se zgjedhjet lokale duhet të mbahen, kështu janë të parashikuara do të thotë në maj të 2017 -ës dhe tani duhet të shqyrtohen të gjitha situatat që rrjedhin në këtë drejtim”, thotë Ahmeti.

Lëvizja Besa dhe Lëvizja për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare thonë se janë të përgatitura për zgjedhjet vendore, por të njëjtat duhet t’i organizojë Qeveria e re e Maqedonisë e dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit të kaluar.

Sekretari i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi, për Radion Evropa e Lirë shprehet i prerë se duhet të respektohet vullneti i shprehur i qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare, veçanërisht pas sigurimit të shumicës parlamentare duhet t’i hapet rrugë konstituimit të Parlamentit dhe më pas organizimit të zgjedhjeve vendore.

“Është e natyrshme pasi kemi pasur zgjedhje, që çdo qeveri që vjen pas zgjedhjeve, duhet të reflektojë vullnetin e shumicës së elektoratit. Nuk është fare e logjikshme që të vazhdojë qeverisja e dalë nga zgjedhjet e 2014-ës dhe ajo t’i organizojë zgjedhjet. Ne mendojmë se vullneti i shprehur në dhjetor të vitit të kaluar duhet të reflektohet sa më parë, duke marrë në dorë institucionet e vendit dhe këto institucione t’i organizojnë zgjedhjet në mënyrë sa më të besueshme dhe demokratike”, vlerëson Gashi.

Edhe Arben Taravari, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare, shpreh mendimin e tij se zgjedhjet duhet të organizohen nga një qeveri, e cila do të fokusohet në reformimin e institucioneve, madje me kusht nëse imponohet nevoja që zgjedhjet të shtyhen për disa muaj.

“Mendoj se duhet të stabilizohet gjendja në shtet, duke u formuar në një afat sa më të shkurtër qeveria e re e vendit dhe më pas të analizohet se ku mund të mbahen zgjedhjet lokale, nëse do të ketë nevojë të shtyhen për një ose disa muaj. Këtë gjë do ta shqyrtojmë në organet partiake dhe do të sjellim vendim, por personalisht mendoj se zgjedhjet duhet të shtyhen së paku deri në vjeshtë”, konsideron Taravari.

Njohësit e çështjeve politike thonë se taktizimet që çojnë në prolongimin e zgjedhjeve lokale paraqesin një goditje ndaj funksionimit të pushtetit vendor duke paralizuar tërësisht organet komunale, ngase drejtuesve të cilëve në bazë të ligjit u skadon mandati, nuk kanë të drejtë për të marrë asnjë vendim.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG