Ndërlidhjet

Ukraina dhe Rusia përballen në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë


Një vajzë e re nga Ukraina qanë gjatë varrimit të shtatë shërbyesve civilë, të cilët u vranë në konfliktin në lindje të Ukrainës.
Një vajzë e re nga Ukraina qanë gjatë varrimit të shtatë shërbyesve civilë, të cilët u vranë në konfliktin në lindje të Ukrainës.

Ukraina ka inicuar një rast kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, duke kërkuar një urdhër që Moska të ndalë mbështetjen e separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës dhe në Krime.

Në deklaratën hyrëse në Gjykatën e Hagës, avokatët që prezantojnë Ukrainën, kanë akuzuar qeverinë e Rusisë se e ka bërë të “pamundur për qytetarët e Ukrianës që të ndihen të sigurt në vendin e tyre”.

Gjykatësit në Hagë dëgjojnë mosmarrëveshjet në mes të shteteve dhe rasteve mund të ju duhen vite të tëra që rasti të dal para gjykatës.

Edhe pse vendimet e Gjykatës së Hagës janë përfundimtare dhe detyruese, gjykata nuk ka mjete që vendimet të zbatohen.

Kievi akuzon Moskën se ka shkelur konventat e Kombeve të Bashkuara kundër terrorizmit dhe diskriminimit duke mbështetur grupet në lindje të Ukrainës dhe në gadishullin e Krimesë.

Moska paligjshëm e ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe ka mbështetur separatistët në lindje të Ukrainës, në luftimet të cilat kanë lënë të vdekur më shumë se 9,750 njerëz që prej marsit të vitit 2014.

Kremlini ka mohuar se ka dërguar trupa apo mjete ushtarake në lindje të Ukrainës, pavarësisht se Kievi dhe shtetet perëndimore kanë thënë se për këtë gjë ka prova të pakontestueshme.

Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore kanë vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për tu mbrojtur sa më mirë për këtë rast gjyqësor.

Një zyrtar i lartë rus, i ka thënë agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se delegacioni i Rusisë do të përbëhet nga 35 persona.

Në këtë delegacion do të jetë Roman Kolodkin, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Traktatit dhe Ligjit të Ministrisë së Jashtme ruse si dhe Ilya Rogachev, drejtor i përgjithshëm i Departamentit për Sfida të Reja dhe Kërcënime.

Delegacioni i Ukrainës do të udhëhiqet nga zëvendësministrja e jashtme, Olena Zerkal, ka raportuar TASS.

Në kërkesën e saj, Ukraina thotë se “ka qenë subjekt i shkallës së lartë të presionit dhe frikësimit”. Që prej vitit 2014, thuhet po ashtu, se Rusia ka rritur ndërhyrjen e saj në çështjet e Ukrainës, “duke intervenuar ushtarakisht... ka financuar akte terroriste dheka shkelur të drejtat e njeriut të miliona qytetarëve ukrainas, përfshirë këtu, edhe të drejtën e jetës”.

Aty po ashtu thuhet se forcat separatiste të mbështetura nga Moska kanë kryer akte terroriste, duke përmendur kështu bombardimet e zonave të banueshme dhe rrëzimin në korrik të 2014-ës të avionit të Malaysian Airlines, ku u vranë 298 pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit. Për këto keqbërje, Kievi po kërkon dëshpërmbim të plotë.

Ukraina gjithashtu akuzon Rusinë për keqtrajtim të tatarëve të Krimesë dhe popullatës me etni ukrainase, që prej se ka aneksuar këtë zonë më 2014.

Raundi i parë i seancave dëgjimore pritet të mbahet nga 6 deri më 9 mars. Këto seanca kryesisht janë çështje procedurale.

Delegacioni rus, pritet që të martën të flas para gjykatës.

Gjeorgjia kishte sjell një rast të ngjashëm ndaj Rusisë por gjykata kishte marrë vendim më 2011 se çështja nuk kishte juridiksion. Ekspertët thonë se Rusia me gjasë do të argumentojë në gjykatë se edhe për këtë rast nuk ka juridiksion.

XS
SM
MD
LG