Ndërlidhjet

Rusia thotë se Gjykata në Hagë s'ka juridiksion mbi rastin e Ukrainës


Hagë
Hagë

Rusia tha se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë nuk ka juridiksion për të lëshuar urdhrin që kërkon Kievi, për të ndaluar mbështetjen e Moskës për separatistët në lindje të Ukrainës dhe në Krime.

Çështja është qartazi jashtë kompetencave të gjykatës, tha Roman Kolodkin, drejtor i Departamentit Ligjor pranë Ministrisë së Jashtme ruse.

Ai i bëri këto komente një ditë pasi avokatët e Ukrainës akuzuan Moskën se “ua ka bërë të pamundur shtetasve ukrainas të ndjehen të sigurt në vendin e tyre”.

Gjykatësit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë janë duke dëgjuar mosmarrëveshjet midis dy shteteve, por vendimi përfundimtar i gjykatës mund të marrë vite.

Kievi e akuzon Rusinë për shkelje të konventave të OKB-së kundër terrorizmit dhe diskriminimit, duke mbështetur grupe në lindje të Ukrainës dhe në Krime.

Moska ka marrë kontrollin e gadishullit ukrainas të Krimesë në mars të vitit 2014 dhe vazhdon mbështetjen për separatistët që luftojnë forcat qeveritare në lindje të Ukrainës.

Por, Kolodkin tha të martën se akuzat se Rusia ka marrë pjesë në konfliktin e armatosur në lindje të Ukrainës, janë të pabazuara.

Kievi dhe vendet perëndimore thonë se ekzistojnë dëshmi të pakundërshtueshme se Rusia ka dërguar trupa dhe pajisje ushtarake në lindje të Ukrainës.

XS
SM
MD
LG