Formimi i ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese është i pamundur ka deklaruar presidenti Hashim Thaçi.
Në vazhdën e takimeve e bashkëbisedimeve të ndryshme në lidhje me nismën e tij për transformimin përmes ndryshimeve ligjore të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë me mision ushtarak, Thaçi ka mbajtur sot një ligjëratë para studentëve të Kolegjit UBT, në Prishtinë.
Aty, ai tha se Lista Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës është peng i vendimeve të Beogradit, andaj, ndryshimet kushtetuese për formimin e ushtrisë, të cilat po i kërkojnëNATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të pamundura.
“Lista Serbe është deklaruar qartë se nuk mund të votojnë dhe nuk guxojnë të votojnë nga Beogradi”, ka theksuar Thaçi.
“Andaj, a duhet të mbetemi ne peng i Beogradit, derisa Beogradi të disponohet që ne ta kemiushtrinë”, tha Thaçi, si përgjigje ndaj insistimeve ndërkombëtare që transformimi i FSK-së në forcë të armatosur, të bëhet përmes kushtetutës.
“Pas zgjedhjeve 2014, me Listën Serbe (subjekt politik që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë) është krijuar një realitet krejt tjetër. Këto ditë është thënë qartë se lista serbe nuk do të votojë kurrë për ushtrinë e Kosovës, pasi ata punojnë me interesa të qeverisë së Serbisë”, tha presidenti i Kosovës.
“Kjo do të thotë që ne nuk mundemi të shkojmë me ndryshimet kushtetuese, por me projektligj”, ka deklaruar ai.
Forca e sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës.
Tre vjet më parë ajo përmbushi kapacitetet operacionale dhe autoritetet në vend nisën procesin e rishikimit të sektorit të sigurisë duke kërkuar më shumë kompetenca për FSK-në që do të çonte drejt krijimit të ushtrisë.
Kjo megjithatë duhej të bëhej me ndryshimet kushtetuese që kërkojnë dy të tretat e deputetëve përfshirë dhe dy të tretat e deputetëve të pakicave. Por, kundërshtimi i deputetëve serbë të mbështetur nga Beogradi zyrtar ka penguar procesin e ndryshimeve kushtetuese.