Ndërlidhjet

Hahn: Ivanov ta rishikojë vendimin, të pranohet shumica parlamentare


Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka porositur zyrtarët e lartë të Maqedonisë se nuk ka kohë për të humbur duke kërkuar nga presidenti Gjorgje Ivanov që të rishqyrtojë vendimin e tij dhe të ndaj mandatin për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.

“Në një demokraci, të gjithë duhet të pranojnë shumicën parlamentare. Prandaj, ne e inkurajojmë presidentin që urgjentisht të rishikojë vendimin e tij. Nuk ka kohë për të humbur. Ne tani presim që të gjithë liderët politik dhe institucionet të lejojnë të rrjedhë procesi demokratik në interes të qytetarëve të vendit".

"Vonesat e muajve të fundit janë tashmë duke e dëmtuar ekonominë e vendit. Andaj, kërkojmë formimin e shpejtë të një qeverie të re të përkushtuar për të zbatuar reformat e vonuara. Palët dhe qeveria e re pritet të vazhdojnë zbatimin e të gjitha pjesëve të marrëveshjes së Përzhinës”, theksohet në kumtesën për media të komisionerit për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, dhe tre eurodeputetëve, Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, pas takimeve maratonë që kanë realizuar gjatë ditës së martë në Shkup me liderët e partive politike parlamentare, në përpjekje të re për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Katërshja evropiane ka nënvizuar se të gjithë liderët e Maqedonisë, duke përfshirë edhe presidentin, tani duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve të fundit.

Vazhdojnë përpjekjet të zhbllokohet puna e Kuvendit

Në mesditë pritet të vazhdojë mbledhja e komisionit parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime pasi dje ajo u ndërpre për shkak të mosmarrëveshjeve të shprehura mes partive politike maqedonase, VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së rreth zgjedhjes së kryetarit të këtij komisioni.

VMRO-DPMNE ka kërkuar që kryetari i këtij komisioni të jetë nga radhët e kësaj partie ashtu siç ka qenë praktikë që kryetari i komisionit të jetë nga partia që ka numrin më të madh të deputetëve.

Por, Social Demokratët kanë theksuar se ky post u takon atyre ngase ata tanimë kanë siguruar shumicën parlamentare.

Zhbllokimi i komisionit parlamentar i cili duhet të propozojë kreun e institucionit ligjdhënës i hap rrugë vënies në funksion të plotë të organeve të parlamentit dhe më pas zgjedhjes së qevrisë së re të Maqedonisë.

Zaev pret që deri në fund të javës të zgjidhet kryetari i Parlamentit

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev pas takimit me Komisionerin Hahn të martën në mbrëmje, tha se qytetarët e Maqedonisë po humbasin durimin duke nënvizuar se pret që deri në fund të kësaj jave të zgjidhet kryetari i Parlamentit të Maqedonisë.

“Çdo ditë e shpenzuar, është ditë e rrezikshme për Maqedoninë. Ka edhe qytetarë në VMRO-DPMNE që besojnë në përparimin e shtetit. Kam shpresë se kryetarët e partive do të kenë sens për të zgjidhur këtë krizë. Ne jemi parti politike që varemi nga qytetarët. Besojmë që nuk do të pengojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Nuk do ta lejojmë një gjë të tillë".

"Eurokomisari ka dërguar porosi pozitive që seriozisht të qasemi ndaj situatës momentale në vend. Ne tërë kohës kemi pasur përkushtim të madh dhe se i vetmi i qëllim është që të zhbllokohet përzgjedhja e kryetarit të komisionit dhe anëtarët e tyre. Kjo tregon se si mund të funksionojë një shtet demokratik. Dhe këto janë procese për të mirën e shtetit”, ka theksuar Zaev.

Por, Antonio Milloshovski, zyrtar i lartë i VMRO DPMNE-së, pas takimit Hahn -Gruevski, ka thënë se ekzistojnë dy mënyra për daljen nga kriza.

“Zgjidhja e parë është nëse Zaev dëshiron të formojë Qeveri atëherë ai mos të jetë i kushtëzuar me platformën shqiptare, por e njëjta të refuzohet. Opsioni i dytë është organizimi i zgjedhjeve parlamentare qe të zhvillohen në muajt e ardhshëm bashkë me zgjedhjet lokale”, ka nënvizuar Milloshoski.

Partitë shqiptare pro formimit të qeverisë së re sa më shpejtë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, tha se nuk është ithtar që të hyhet me forcë në institucionet e shtetit, megjithëse është shprehur i prerë se nëse do të mbështes qeverinë e re të Zaevit edhe pa e marrë mandatin.

“Energjitë tona janë në vijë të kuqe dhe kërkojmë që palët që kanë përgjegjësi për dalje nga situata, VMRO-DPMNE dhe LSDM të përafrojnë qëndrimet dhe të tejkalohet ngecja. Nuk jam ithtar që të hyhet me forcë në institucionet e shtetit prandaj do të presim që çështja të zgjidhet në rrugë institucionale, megjithatë nëse kjo nuk ndodh, ne i qëndrojmë pas marrëveshjes që e kemi bërë me LSDM”.

Por, kryetari i Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare, i pyetur rreth sanksioneve eventuale që mund të ndërmarrë Bashkimi Evropian ndaj Maqedonisë, tha se komisioneri Hahn, duhet të flas për këto sanksione me ata të cilët e shkaktuan krizën në Maqedoni.

“Kam kërkuar nga ai që në asnjë mënyrë Bashkimi Evropian të mos heq dorë nga Maqedonia. Rruga e vetme dhe e cila ka perspektivë për vendin është rruga për në BE”, ka theksuar Sela.

Përderisa kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, pas takimit me zyrtarët e lartë të BE-së, tha se "ka faktorë që dëshirojnë që këtë krizë institucionale ta thellojnë për ta shëndëruar në krizë interetnike ".

Ndërkohë, organizatorët e protestave “Për një Maqedoni të përbashkët” thonë se do të vazhdojnë të protestojnë kundër shtrirjes së gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë dhe koalicionit mes Social Demokratëve dhe partive politike shqiptare. (REL)

XS
SM
MD
LG