Ndërlidhjet

Altman: Shqiptarët e dinë sa kundërproduktive është ideja e ‘Shqipërisë së Madhe’


Franz-Lothar Altmann

Ish drejtori i degës për Ballkanin të Institutit të Berlinit për çështje ndërkombëtare dhe të sigurisë, Franz Lothar Altmann, i tha Radios Evropa e Lirë, se ‘shqiptarët [kudo në Ballkan] janë të vetëdijshëm për faktin se sa kundërproduktive për ta është ideja e Shqipërisë së Madhe”.

Altmann, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Shërbimi për Ballkanin, foli për zhvillimet në gjithë Ballkanin dhe iu referua edhe situatës në Maqedoni, me theks në ‘platformën shqiptare që ka nxitur një reagim në shoqërinë e atjeshme’

“Nëse flisni me shqiptarët do ta shihni se janë shumë të vetëdijshëm për faktin se për ta është shumë kundërprokutive çdo rrëfim për Shqipërinë e Madhe. Do të mund të harronin hyrjen në BE nëse do të ëndërronin krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Gjithashtu, shqiptarët në Maqedoni dhe ata në Kosovë nuk janë shumë të ngazëllyer me idenë që të jenë nën patronatin e Tiranës”, tha Altmann.

Duke iu referuar marrëdhënieve të tendosura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Altmann tha se ‘asnjëra palë nuk ka treguar vullnetin që të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel”.

Sipas tij, asnjëra palë “nuk ka treguar mirëkuptim për domosdonë e normalizimit të marrëdhënieve sepse jetojnë njëri pranë tjetrit”.

“Në vend të kësaj po i theksojnë dallimet”, tha Altmann për Radion Evropa e Lirë.

Franz Lothar Altmann e cilësoi si "të dobët Bashkimin Evropian në këtë moment” meqë, sipas tij, po përballet me “problemin e BREXIT, me gjendjen e rëndë në Hungari, Poloni dhe është në pritje të zgjedhjeve në Francë dhe Gjermani”.

“Prandaj BE-ja më shumë është e përqendruar në çështjet e brendshme se sa në zhvillimet në rrethinën e saj. Kjo natyrisht e ngarkon më tepër gjendjen në Ballkan”, tha Franz Lothar Altmann.

XS
SM
MD
LG