Ndërlidhjet

BDI-ja diskuton mundësinë e daljes nga Qeveria


Ali Ahmeti, BDI
Ali Ahmeti, BDI

Bllokimi i punës së Kuvendit të Maqedonisë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, ka bërë që partitë që kanë formuar shumicën e re parlamentare, të dalin me nisma të reja si mundësi për zhbllokimin e punës së institucionit ligjvënës.

Bashkimi Demokratik për Integrim që aktualisht është në koalicion qeverisës me VMRO DPMNE-në e Nikolla Gruevskit, dhe në anën tjetër në shumicë të re parlamentare me LSDM-së e Zoran Zaevit, ka diskutuar të premten në mbrëmje mundësinë e largimit të ministrave nga Qeveria teknike, ku bën pjesë me VMRO-në.

“Ka zëra që janë të mendimit se mund të jetë një kontribut në drejtim të zhbllokimit të situatës, domethënë jemi duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë se si mund të arrijmë më shpejt deri te zhbllokimi i situatës”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ai ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare, duke theksuar se në mbledhjen e Kryesisë së partisë, është diskutuar edhe për përkeqësimin e mëtejmë të krizës nga skadimi i mandatit të kryetarëve të komunave dhe mosshpalljes së zgjedhjeve lokale.

“Zgjedhjet e parakohshme nuk do të thotë se ofrojnë një zgjidhje më të mirë. Ne jemi në kërkim të zgjidhjeve më të mira që të dalim nga kjo situatë. Zgjedhjet lokale janë më të rëndësishme se sa zgjedhjet e përgjithshme. Përse të organizojmë zgjedhje të përgjithshme kur nuk do të ndryshonte asgjë pasi mund të përsëritet e njëjta situatë”, ka deklaruar Ahmeti.

Zgjedhjet e reja ishin edhe pjesë e debatit parlamentar të ditëve të fundit, por dy palët, si VMRO-ja ashtu dhe LSDM-ja, dolën me kushte që e bëjnë thuajse të pamundur mbajtjen e tyre. VMRO-ja ofroi zhbllokimin e zgjedhjes së kreut të Kuvendit, që është propozuar nga partitë e shumicës së re, por me kusht që ai të ketë mandat vetëm se një ditë, sa për të shpallur zgjedhjet, por një kërkesë e tillë nga LSDM-ja u quajt absurde.

Analistët thonë se shumicës së re fillimisht duhet dhënë mundësinë e formimit të qeverisë dhe ky, sipas Mitko Gaxhovskit, është edhe vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

“Në kohën kur kemi shumicë parlamentare në Kuvend, mendoj se duhet t’i jepet një shans kësaj shumice që të formojë qeverinë, t’i shohim rezultatet e saj. Ne kishim zgjedhje në dhjetor dhe më shumë se 600 mijë qytetarë u deklaruan për këtë shumicë parlamentare, prandaj nuk duhet të injorohet vullneti i popullit për ndryshime në vend”, thotë Gaxhovski duke e vlerësuar si pozitivisht nismën e BDI-së për braktisjen e qeverisë teknike.

Kjo, sipas tij, mund të jetë një formë e presionit se VMRO-ja, sipas tij, përfundimisht mbetet e vetmuar, ndërsa simbolika e një vendimi të tillë do të ishte se për herë të parë që nga pavarësia e vendit, qeveria do të ishte pa parti shqiptare, që mund edhe më shumë të rrisë presionet nga bashkësia ndërkombëtare.

Se presioni nga jashtë është në rritje, flet edhe vizita që do t'i bëjë të hënën Maqedonisë, presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk.

Por, njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se takimi i tij me presidentin Gjorge Ivanov nuk do të ndryshojë qëndrimin e tij për mos mandatimin e liderit social-demokrat për kryeministër.

Profesori Nikolla Dujoski thotë se presioni duhet të përqendrohet te Gruevski, i cili edhe sipas tij, dirigjon veprimet e Ivanovit.

Çfarë do që të ndodhë nuk besoj se Ivanovi do të ndryshojë qëndrimin. Vizita e presidentit të BE-së, Donald Tusk, është e mirëseardhur. Ai mund të inkurajojë proceset për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë, megjithatë adresa është e gabuar. Ai duhet të takohet me liderët e partive politike pasi zgjidhja qëndron te Gruevski”, thotë Dujoski.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni janë mbajtur më 11 dhjetor, por vendi ende është pa qeveri pas dështimit të Nikolla Gruevskit të VMRO-së, partisë me dy deputetë më shumë se LSDM-ja që të formoj qeverinë e re.

Presidenti refuzon të mandatorë liderin social-demokrat për kryeministër me arsyetimin se ai ka pranuar të shkojë në koalicion me partitë shqiptare, të cilat, sipas tij, kanë hartuar një platformë politike në Tiranë, me të cilën pretendon se rrënohet karakteri unitar i shtetit.

Por, partitë shqiptare kanë thënë se pikat e deklaratës nuk janë asgjë tjetër, pos pjesë e programeve të partive të tyre politike për zgjidhjen e çështje kombëtare që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe, simbolet, përfaqësimin e çështjet ekonomike.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG