Ndërlidhjet

Vizita e Tillersonit në Moskë bëri pak për zbutje të plasaritjes


Vizita e sekretarit amerikan të shtetit, Rex Tillerson, këtë javë në Moskë, duket se ka bërë pak për zbutje të raporteve ndërmjet dy superfuqive, pasi mbetet çarja e madhe lidhur me sulmin e dyshuar me armatim kimik në Siri dhe konfuzioni lidhur me drejtimin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Pas takimit ballë për ballë të nivelit më të lartë ndërmjet zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, zuyrtarët e administratës së presidentit, Donald Trump, thanë se të dy palët në mënyrë të kujdesshme i kanë mbështetur përpjekjet për përmirësim të lidhjeve, që aktualisht janë në “nivelin më të ulët të të gjitha kohërave”.

Por, titujt kumbues dhe komentet e analistëve nga e gjithë bota kanë sugjeruar se kishte pak terren të përbashkët kur Tillerson u takua me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe presidentin Vladimir Putin.

Nën titullin “Tillerson dhe Putin gjetën pak më tepër se mospajtim në takim”, e përditshmja, New York Times, ka shkruar se të dy zyrtarët e lartë dukeshin të paaftë bile për tu pajtuar për faktet që e rrethojnë sulmin e dyshuar me armatim kimik në Siri, javën e kaluar, i cili shkaktoi që Trump t’i urdhërojë forcat amerikane për t’i lansuar 59 raketa Tomahawk kundër një baze ajrore në Siri, që është e përfshirë nga lufta shkatërruese.

Dëshmi e rënies së raporteve SHBA-Rusi

“Udhëtimi i sekretarit amerikan të shtetit në Moskë të mërkurën, ishte dëshmi e mëtejshme se sa poshtë kanë rënë raportet ruso-amerikane”, ka shkruar Bordi editorial i gazetës, New York Times, në një koment.

“Një pyetje e rëndësishme është nëse ftohja në marrëdhënie do ta bëjë më të vështirë për zotin Trump që ta angazhojë Moskën në luftën për ta mposhtur Shtetin Islamik në Siri; bashkëpunimi në këtë front, çdoherë i diskutueshëm, tash duket i pamundur”, shkruan gazeta.

Nuk ka pasur indikime se të dy palët i kanë ndryshuar pozicionet e tyre për çështjen e Sirisë, që kanë shkaktuar kritika të ashpra të dyanshme para dhe gjatë vizitës së Rex Tillersonit në Moskë.

Tillerson tha se qeveria e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, i ka kryer më se 50 sulme kimike gjatë luftës gjashtë vjeçare në Siri dhe se lideri i Sirisë mund të ballafaqohet me akuza për krime të luftës.

Lavorv, megjithatë, goditjen raketore ajrore amerikane e ka përshkruar si “sulm të paligjshëm kundër Sirisë” dhe se aksionet e tilla të mëtejshme do të duhej të parandaloheshin.

Bile, vetë presidenti Trump dukej më pak i bindur për perspektivën e raporteve të përmirësuara ndërmjet Uashingtonit dhe Kremlinit.

Ai ka shfaqur shpresën për përmirësim të lidhjeve me Putinin, por me të shpejtë ka shtuar se “ne do të shohim se çka do të ndodhë”.

“Palët ishin sjellur sikur ata t’i kishin borxh njëri-tjetrit”, është cituar nga gazeta londineze, Guardian, se ka thënë, Alexander Baunov, nga Qendra Carnegie në Moskë. “Tash askush nuk vepron sikur ndokush ka borxh çdo gjë”, tha Baumnov.

Rusia e pasigurt se çka do të bëjnë SHBA-të

Shumë analistë kanë argumentuar se sulmet në Siri paraqesin kthesë prej 180 shkallëve në politikën e Shteteve të Bashkuara, që i ka befasuar jo vetëm rusët, por edhe pjesën më të madhe në botë.

Sipas analistit, Mark Galeotti, nga Instituti për Raporte Ndërkombëtare, me seli në Pragë, ky rol i ndryshuar, ka shkaktuar konfuzion në Moskë.

“Në këtë pikë, rusët tashmë ishin mbështetur në faktin se ata mund të luanin rol të paparashikuar, pasi ata ndjejnë, me një mbështetje të konsideruar, se ata i kishin identifikuar vijat e kuqe reale të politikës së Shteteve të Bashkuara dhe se ata e dinin se çka do të bënin amerikanët në shenjë të përgjigjes”, tha Galeotti dhe ka shtuar se “ata tash befas po e gjejnë vetveten në një rol shumë reagues dhe ata, sinqerisht nuk dinë se çka të bëjnë”.

Duke e ndërlikuar edhe më tepër situatën, presidenti Trump tha këtë javë se NATO tash po bënë më tepër në luftimin e terrorizmit dhe se “tashmë nuk është e vjetruar”, që është një ndryshim nga deklarimet e përparshme, se aleanca veriatlantike e sigurisë nuk po i shërbente qëllimit të saj. Kjo lëvizje, sigurisht, do ta armiqësoj Rusinë.

“Në sytë e Putinit, ne jemi një superfuqi jashtë kontrollit, e cila duhet të kundërshtohet”, thotë Michael O’Hanlon, nga Insntituti Brukings, në një artikull në të përditshmen, Los Angeles Times.

“Pikëpamja e tij është e shtrembëruar, por duket se është e sinqert”, shkruajti O’Hanlon.

Jeffrey Mankoff, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, ka sugjeruar se mungesa e parashikueshmërisë së politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara nën administratën Trump, e ka acaruar nivelin përkeqësues të besimit ndërmjet vendeve dhe mund të çoj në probleme më të thella.

“Natyrisht, ekziston po ashtu, në disa mënyra, çështja më ekzistenciale e faktit se përleshja direkte ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, mund të jetë ekstremisht e rrezikshme, duke pasur parasysh kapacitetet ushtarake, e veçanërisht ato atomike, të të dy palëve”, i tha eksperti Mankoff emisionit në radio, The World Today.

“Unë nuk mendoj se një lloj i tillë i përleshjes ka gjasë të ndodhë, dhe është sigurisht diçka që duhet të jetë në mendjen e çdokujt, i cili shikon në këto raporte”, tha Mankoff.

Fitorja në zgjedhjet presidenciale amerikane më 8 nëntor të vitit të kaluar, e zotit Trump, ishte përcjellur me pritje të afrimit ndërmjet dy vendeve, duke pasur parasysh se kandidati republikan, Donald Trump, e kishte lavdëruar Putinin gjatë fushatës së tij zgjedhore.

Prej atëherë, një seri e çështjeve, prej hetimeve amerikane për përzierjen ruse në fushatë e deri te bombardimi i Sirisë, e kanë ndryshuar pamjen politike.

“Në prapavijë është tërheqja zhgënjyese e pranimit euforik nga ana e Rusisë, për fitoren zgjedhore të Trumpit. Ajo i kishte sjellur pritjet për ripërtritje të marrdhënieve dhe, me gjasë, për një marrëveshje madhore, e cila do të çonte në tërheqje të sanksioneve për shkak të intervienimit të Moskës në Ukrainë”, ka shkruar korrespondetja e BBC-së në Shtetet e Bashkuara, Barbara Plett Usher.

“Zyrtarët e lartë të Trumpit përfundimisht e pëlcitën këtë flluskë”, shkruajti Usher.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG