Ndërlidhjet

OSBE: Është vrarë një dhe plagosur dy pjesëtarë të misionit në Ukrainë


Anëtarët e misionit të OSBE-së në Ukrainë duke e fotografuar një shtëpi të shkatërruar në vendin Avdiivka

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka njoftuar sot se një pjesëtar i misionit të saj në Ukrainë është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur, kur automjeti i tyre ka hasur në minë.

Dy të plagosurit janë dërguar në spital për trajtim.

Një zyrtar i Ministrisë së jashtme të Ukrainës i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë se i vrari ishte shtetas amerikan.

Një zëdhënës i Ministrisë së jashtme të Austrisë tha se ndër të plagosurit ishte edhe një femër nga Gjermania.

Anëtarët e misionit ishin në patrullë në fshatin nën kontroll të kryengritësve, Prishib në rajonin Luhansk, kur vetura e tyre ka hasur në minë dhe ka eksploduar, ka thënë një zyrtar i qeverisë së Ukrainës.

Ushtria e Ukrainës tha se incidenti ka ndodhur sot në orën 10:17 në mëngjes.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka kërkuar nga ministri i jashtëm, Pavlo Klimkin, që ta informoj OSBE-në për hetimet lidhur me këtë eksplodim.

“Ky krim duhet të hetohet dhe ata që janë përgjegjës duhet të dënohen”, ka shkruar Poroshenko në rrjetin Facebook dhe ka shtuar se “Ukraina i dënon të gjitha format e rezistencës së vazhdueshme nga kryengritësit ndaj punës së misionit të OSBE-së”.

Në një kumtesë të separatistëve të mbështetur nga Rusia në Luhansk, të publikuar në faqen e tyre në Internet, pretendohet se ekipi i OSBE-së i ishte shmangur rrugës kryesore dhe po udhëtonte përgjatë një rruge të pasigurt.

“Ne e dimë se ky ekip patrullues ka devijuar nga rruga kryesore dhe ka lëvizur përgjatë rrugëve sekondare, që janë të ndaluara nga mandati i Misionit special monitorues të OSBE-së”, thuhet në deklaratën e speratistëve.

XS
SM
MD
LG