Ndërlidhjet

Hahn kërkon “format të ri të bashkëpunimit” me Turqinë


Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn
Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn

Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn ka thënë se Bashkimi Evrpian dhe Turqia duhet të nisin diskutimet “për një format të ri të bashkëpunimit”.

Hahn u tha gazetarëve në Bruksel se fitorja e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në referendumin që ia zgjeron pushtetin, e ka bërë atë skeptik që Turqia “është e gatshme të ndajë çdo lloj pushteti me këdo”.

Duke thënë se ndarja e pushtetit “është koncept themelor i Bashkimit Evropian”, Hahn ka thënë se shpreson që vendet anëtare të bllokut- dhe “shpresoj që edhe Turqia”- janë të gatshëm që të “diskutojnë për një format të ri të bashkëpunimit”.

Hahn nuk ka treguar se çfarë nënkupton me “format të ri” por ka shtuar se “besoj se ne duhet të jemi kreativ në këtë çështje”.

Pas referendumit në Turqi, disa grupe politike, brenda Parlamentit Evropian, i kanë bërë thirrje BE-së që të pezullojë ose tërësishtë të braktisë bisedimet për pranimin e Turqisë.

Njëmbëdhjetë nga 33 “kapitujt e negociatave” në mes të Anarasë dhe Brukselit, aktualisht janë të ngrira dhe asnjë kapitull i ri, nuk pritet që të hapet së shpejti.

Ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen në një takim joformal në Maltë më 28 prill dhe me gjasë aty do të diskutojnë me homologun e tyre turk, për hapat e ardhshëm në marrëdhëniet BE-Turqi.

Hahn personalisht ka thënë se dëshiron që ta mbajë opsionin për bisedime në të ardhmen për pranimin e Turqisë.

“Zhvillimi i Turqisë është qartazi i lidhur me Erdoganin dhe politikën që drejtohet nga partia e tij por aktualisht, një pjesë e madhe e shoqërisë turke, ka pikëpamje të ndryshme, kështu që personalisht preferoj të mos mbyllen dyert dhe të mbahen gjallë diskutimet”, ka përfunduar Hahn.

XS
SM
MD
LG