Ndërlidhjet

OKB kërkon fonde shtesë për të shmangur urinë në Jemen


Antonio Guterres

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për më shumë fonde, me qëllim që të shmanget uria në Jemen.

Këto komente Guterres i bëri në hapjen e një konference të donatorëve në Gjenevë.

Guterres gjithashtu u bëri thirrje të gjitha palëve në Jemen që të sigurohen se ndihma humanitare të mund të arrijë te njerëzit në nevojë.

OKB bën thirrje që Jemenit t’i jepen 1.2 miliardë dollarë këtë vit, ku Guterrers ka thënë se një fëmijë nën moshën pesë vjeçare vdes çdo 10 minuta, nga shkaqe shëndetësore të cilat janë të parandalueshme.

Konflikti dy vjeçar në Jemen, në mes të rebelëve huthi dhe forcave qeveritare, ka lënë të vrarë të paktën 10 mijë persona në Jemen, ndërkaq pjesa tjetër e popullsinë janë duke vuajtur nga uria dhe sëmundje të shumta janë përhapur.

Rreth 19 milionë njerëz, apo dy e treta e popullsisë në Jemen, kanë nevojë për ndihmë urgjente ka thënë Guterres, teksa ka bërë thirrje për bisedime për paqe.

Kryeministri i Jemenit, Ahmed Obeid Bin Daghr ka thënë se qeveria, e cila kontrollon një pjesë të shtetit, do të ndihmojë që ndihmat të shpërndahen.

“Ne jemi të gatshëm të hapim rrugë për këto furnizime me ndihma”, ka thënë ai.

Në fillim të kësaj konference të donatorëve, Arabia Saudite ka premtuar 150 milionë dollarë, Kuvajti 100 milionë dollarë, Gjermania ka thënë se do të dhurojë 50 milionë euro, ndërkaq Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të ndihmojnë Jemenin me 94 milionë dollarë.

XS
SM
MD
LG