Ndërlidhjet

Freedom House: Liria e shtypit në pikën më të ulët në një dekadë


Organizata Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, thotë se vetëm 13% e popullatës në botë jetojnë në vendet me shtyp të lirë.

Në raportin vjetor të publikuar sot, ky grup joqeveritar, thotë se liria e shtypit ka shënuar rënie në vitin 2016, në pikën më të ulët në më tepër se një dekadë, për shkak të goditjeve kundër mediave të pavarura nga shtetet autoritare dhe për shkak të kërcënimeve të paprecedente ndaj gazetarëve dhe organizatave të mediave në demokracitë madhore.

Në raportin e titulluar, Liria e Shtypit 2017: Horizonti i Errët i Lirisë së Shtypit, shkalla e lirisë së mediave në 199 vende dhe territore klasifikohet në kategoritë “e lirë”, “pjesërisht e lirë” dhe “jo e lirë”.

Kosova radhitet në vendin e 96 të listës, ndërsa klasifikohet në kategorinë e vendeve me shtyp “pjesërisht të lirë”.

Në këtë kategori janë edhe Kroacia (vendi 76), Serbia (98), Shqipëria (103) dhe Bosnjë-Hercegovina (103).

Sipas raportit, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me qëllim që t’i diskreditojë kompanitë mediale, pjesën më të madhe të fushatës së tij në zgjedhjet presidenciale e ka kryer përmes tabloidit proqeveritar, Informer, që ka publikuar akuza të pabaza kundër gazetarëve që ishin kritikë ndaj qeverisë.

Vlerësohet se liria e shtpit në Maqedoni është në kategorinë “jo të lirë” dhe është klasifikuar në vendin 139.

Në përgjithësi, Freedom House thotë se 42% e popullatës botërore kanë “liri të pjesërishme” të shtypit, ndërsa 45% jetojnë në vendet ku ambienti për media nuk është i lirë.

Në raport theksohet se derisa regjimet autoritare kanë vazhduar ose e kanë zgjeruaar goditjen e tyre kundër mediave, politikanët në disa shtete demokratike kanë lansuar ose i kanë përshkallëzuar përpjekjet për formimin e raportimit duke i delegjitimuar kompanitë mediale, duke ushtruar ndikim politik ndaj transmetuesve publikë dhe duke e ngritur profilin e mediave miqësore private.

Freedom House thekson se presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënçmuar shtypin, derisa ishte kandidat dhe tash si president, duke e hedhur poshtë rolin e mediave në mbajtjen e zyrtarëve qeveritarë përgjegjës për fjalët dhe veprimet e tyre.

Zoti Trump disa herë është tallur me reporterët duke i cilësuar si furnizues të pasinqertë të “lajmeve të rrejshme” dhe tradhtarë të korruptuar të interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara, derisa një këshilltar i tij i lartë i ka përshkruar gazetarët si “parti opozitare”.

Në këtë kuadër, analistja në organizatën Freedom House, Elen Aghekyan, thotë:

“Kur liderët politikë në Shtetet e Bashkuara i kritikojnë ashpër mediat, atëherë kjo i inkurajon kolegët e tyre në vendet e jashtme, që ta bëjnë të njejtën gjë”, thotë Elen Aghekyan.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG