Ndërlidhjet

Putin dhe Merkel diskutuan për konfliktet në Ukrainë dhe Siri


Angela Merkel dhe Vladimir Putin
Angela Merkel dhe Vladimir Putin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti rus, Vladimir Putin kanë zhvilluar një takim në Soçi, ku kanë trajtuar kryesisht konfliktet në Ukrainë, Siri dhe rajone tjera. Njëherësh, agjencitë raportojnë se Merkel dhe Putin, kanë diskutuar edhe çështje të interesit të ndërsjellë bilateral.

Të dy liderët kanë deklaruar para medieve pas takimit se është kyçe për të gjitha palët që t’i zbatojnë zotimet e dhëna në bazë të procesit në Minsk për ndaljen e konfliktit në lindje të Ukrainës, të arritur ndërmjet qeverisë së Ukrainës dhe forcave separatiste, ët mbështetura nga Rusia.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka bërë thirrje për dialog ndërmjet qeverisë së Ukrainës dhe grupit separatist që lufton në lindje të Ukrainës.

“Është e pamundur të arrihet zgjidhje për konfliktin pa dialog të drejtpërdrejtë”, ka thënë Putin në konferencën e përbashkët për media me kancelaren Markel në Soçi, transmeton DPA.

Gjermania dhe Franca kanë shërbyer si ndërmjetësues ndërmjet Rusisë, e cila mbështet rebelët dhe Ukrainës. Putin ka deklaruar se shpreson që Franca të ruaj këtë rol edhe pas raundit final të zgjedhjeve presidenciale.

Putin i ka hedhur poshtë pretendimet se Rusia po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Gjermani, si dhe i ka kundërshtuar pretendimet e ngjashme për ndërhyrje në zgjedhjet e mbajtura në Shtetet e bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar ato si thashetheme.

Ndërkohë, Merkel tha se Moska dhe Berlini "ndajnë opsione të ndryshme për shkakun e konfliktit". Ajo tha se ishte thelbësore për Kievin (Ukrainën) që të rimarrë kontrollin e plotë të kufirit të saj, duke përfshirë edhe pjesën midis zonave të kontrolluara nga separatistët dhe Rusisë.

Po ashtu, temë diskutimi në këtë takim ka qenë edhe samiti i ardhshëm ‘G20’ i cili do të mbahet në Hamburg të Gjermanisë më 7 dhe 8 korrik.

Përveç takimit me kancelarin Merkel, presidenti rus Putin ka planifikuar që të njëjtën ditë, më 2 maj, të zhvilloj dhe një bisedë telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuarat ë Amerikës, Donald Trump.

Merkel udhëtoi drejt Rusisë për herë të parë qysh në vitin 2015.

Takimi në rezidencën e presidentit Putin në qytetin Soçi vjen në kohën kur marrëdhëniet dypalëshe janë në një pikë të ulët, për shkak të luftës në Siri dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Merkel dhe Putin pritet t’i diskutojnë të dyja çështjet.

Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina në vitin 2014.

Gjermania ka qenë forca lëvizëse e sanksioneve që i ka vendosur Bashkimi Evropian Rusisë si ndëshkim.

Putin, të mërkurën, do të takojë edhe presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

XS
SM
MD
LG