Ndërlidhjet

Deklarata e presidentit çek për gazetarët “ishte shaka”


Presidenti i Republikës Çeke, Millosh Zeman.
Presidenti i Republikës Çeke, Millosh Zeman.

Zyra e presidentit të Çekisë, Millosh Zeman, tha se deklarata e tij e fundit për gazetarët ishte shaka dhe se politikanët dhe gazetarët nuk e kanë kuptuar.

Të dielën, para takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kinë, Zeman komentoi praninë e gazetarëve dhe tha se ata duhet të “likuidohen”.

“Janë shumë gazetarë. Duhet të likuidohen”, u shpreh Zeman, ndërsa Putin tha se mjafton që ata të reduktohen.

Biseda e tyre është kapur nga një mikrofon televiziv dhe është postuar në mediat sociale. Ajo ka shkaktuar reagime të shumta; mes tjerash, kryeministri çek, Bohuslav Sobotka, postoi në Twitter një mesazh në lidhje me numrin e gazetarëve që u vranë ose sulmuan në Rusi në vitet e fundit.

Ligjvënësi i Parlamentit Europian, Pavel Telicka, tha se incidenti është dëshmi se Zeman nuk e meriton të fitojë një mandat tjetër në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Kur Zeman ka bërë betimin e presidentit në vitin 2013, në ditën e parë në zyrë ka sulmuar mediat, duke thënë se disa prej tyre e kanë “trurin të shpëlarë” dhe se manipulojnë me opinionin publik. Që atëherë, ai ka vazhduar me komente kritike.

XS
SM
MD
LG