Ndërlidhjet

Partitë harmonizojnë garancitë për mandatin


Ilustrim
Ilustrim

Afati i fundit për të ndarë mandantin presidenti i Maqedonisë për formimin e qeverisë së re të vendit, skadon më 19 maj.

Nga kabineti i presidentit nuk japin detaje nëse janë realizuar bisedime në nivel partish ose ekspertësh lidhur me garancat që kërkoi kryetari i shtetit Gjorgje Ivanov për ruajtjen e karakterit unitar të Maqedonisë, si kusht për t'i ndarë mandatin Zoran Zaevit i cili kryeson me shumicën e re parlamentare.

Nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, për Radion Evropa e Lirë thonë se janë në fazën e fundit të harmonizimit të garancive të kërkuara për ruajtjen e karakterit unitar të shtetit, që lideri i kësaj partie Zoran Zaev të mund të marr mandatin për formimin e qeverisë së re.

“Riafirmimi i programit të qeverisë së re të Maqedonisë e cila do të punojë në bazë të Kushtetutës dhe në interes të integrimeve euroatlantike, i zhbën të gjitha argumementet e pakuptimta në bazë të cilave presidenti i Maqedonisë arsyeton mos-dhënien e mandatit”, kanë theksuar nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë.

Ndërkohë edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim bëjnë të ditur se do jenë pjesë e garancive.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se me dorëzimin e garancive nga shumica parlamentare do t'i krijojë një alibi presidentit Gjorgje Ivanov që ai pas presionit të faktorit ndërkombëtar të mund të tërhiqet nga vendimi se nuk do t'ja ndajë mandatin Zoran Zaevit, megjithëse nënvizojnë se kjo praktikë e cila instalohet së fundmi nuk është në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë.

“Konform Kushtetutës dhe ligjeve pozitive që janë në fuqi, mandatari ose çdo zyrtar tjetër i cili zgjidhet në Maqedoni jep betimin para Kuvendit. Maqedonia si shtet ka sistem parlamentar dhe mandatari i ri betohet në Parlament se do të mbrojë Kushtetutën, ashtu siç ka bërë edhe vetë presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov duke dhënë betimin në Kuvend".

"Garancitë jepen dhe betimi bëhet në Parlamentin e Maqedonisë para përfaqësuesve të sovranit, Kuvendi dhe deputetët janë ata që përfaqësojnë sovranin, përderisa presidenti përfaqëson republikën dhe ky është dallimi”, thekson Shpëtim Nuredini njohës i çështjeve politike i cili ndjek për më shumë vite punën e parlamentit si gazetar.

Ndërkaq, Mitko Gaxhovski, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Shkup, thotë se Zoran Zaevi i cili ka mbështetjen e shumicës parlamentare mund ta formojë qeverinë e re të Maqedonisë edhe pa marrë mandatin nga presidenti i Maqedonisë, ndonëse nënvizon se transferimi i pushtetit në të dyja rastet do të shoqërohet me një rezistencë.

“Në çdo rast me ose pa mandat, transferimi i pushtetit do të jetë një proces shumë i vështirë në Maqedoni, meqë jemi dëshmitarë se VMRO DPMNE e cila drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski bën obstruksione të shumta ndërkohë që duhet të largohet nga pushteti dhe të veprojë si opozitë konstruktive".

"Megjithatë e theksoj se Qeveria e re e Maqedonisë mund të formohet edhe pa e ndarë mandatin presidenti i shtetit, sepse shumica parlamentare e ka fituar mandatin në zgjedhjet parlamentare, përkatësisht më 11 dhjetor vitin e kaluar”, nënvizon Gaxhovski.

Ndryshe, kryetari i ri Parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferi, me katër maj e ka njoftuar presidentin e Maqedonisë për formimin e shumicës së re parlamentare pas çka pret që Ivanov të ndaj mandatin për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.

Ai gjatë javës së kaluar ka theksuar se presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov ka afat deri në datën 19 të këtij muaji për të dhënë mandatin.

Në rast se kjo nuk ndodh, shumica e re nuk e përjashton mundësinë që Qeveria të votohet edhe pa mandat nga presidenti. (REL)

XS
SM
MD
LG