Ndërlidhjet

Siri: Kryengritësit e fundit largohen nga qyteti Homs


Pamje nga një pjesë e qytetit Homs e shkatërruar nga lufta në Siri
Pamje nga një pjesë e qytetit Homs e shkatërruar nga lufta në Siri

Luftëtarët e fundit kryenegritës dhe familjet e tyre kanë filluar të largohen nga një lagje në Homs, që ishte nën kontroll të kryengritësve, kështu që së shpejti ky qytet do të jetë nën kontroll të plotë të qeverisë së presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.

Televizioni shtetëror i Sirisë dhe një grup monitorues mbrëmë kanë njoftuar se pothuajse të gjithë kryengritësit do të jenë së shpejti jashtë qytetit, duke e përfunduar kontrollin pesëvjeçar ndaj këtij qyteti.

Agjencia shtetërore e lajmeve, SANA, ka raportuar se afro 400 njerëz, përfshirë 103 persona të armatosur, janë larguar mbrëmë nga lagjja Al-Waer, dhe janë dërguar me autobusë në qytetin verior, Jarablous, që kufizohet me Turqinë, ose në provioncën Idlib, që është nën kontroll të kryengritësve.

Ky evakuim nga qyteti Homs u bë pas një numri të marrëveshjeve gjatë muajve të fundit, për largim të kryengritësve nga disa qytete në pjesën perëndimore të Sirisë, që ishin nën kontroll të kryengritësve, por të rrethuara nga forcat qeveritare.

Qeveria e Sirisë kësaj marrëveshjeje për evakuim i referohet si marrëveshje për pajtim.

Opozita, nga ana tjetër, ka thënë se kjo ishte një zhvendosje e dhunshme e kundërshtarëve të Assadit nga qendrat kryesore urbane.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren, tha se policia ushtarake e Rusisë tashmë ka filluar të hyjë në pjesë të lagjes, Al-Waer, dhe se ushtria e Sirisë do të hyjë atëherë kur të largohen edhe kryengritësit e fundit.

Rusia dhe Irani e mbështesin qeverinë e presidentit, Bashar al-Assad, në këtë luftë tashmë gjashtëvjeçare, derisa Shtetet e Bashkuara dhe Turqia i mbështesin grupet e ndryshme kryengritëse.

XS
SM
MD
LG