Së paku pesë vetë janë vrarë dhe qindra vetë janë arrestuar, pasi policia ka ndërhyrë në një protestë në mbështetje të një kleriku të lartë shiitë, ka njoftuar Ministria e brendshme e këtij vendi.
Kjo mbretëri sundohet nga sunitët.
Policia tha se i ka arrestuar 286 vetë në protestën në Diraz, afër kryeqytetit Manama, derisa ata demonstronin afër shtëpisë së klerikut, Isa Qassim, lider shpirtëror i shumicës shiite në Bahrejn.
Sipas ministrisë, disa të dënuar, që kishin ikur nga burgu në Jau, ishin në mesin e njerëzve të arrestuar në protestë dhe ka vlerësuar se disa persona “jashtëligjit” kishin pasur granata dore dhe thika.
“Grupet për të drejtat e njeriut e kanë dënuar këtë goditje kundër protestuesve paqësorë.
Ministri i jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, këtë veprim të autoriteteve të Bahrejnit, e ka cilësuar si “rezultatin e parë konkret” të asaj që ai e ka përshkruar si “dhënie e komoditetit për despotët”, nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump, para dy ditësh në Arabinë Saudite, që ishte referencë për samitin e liderëve të disa vendeve kryesore myslimane, në të cilin ka marrë pjesë zoti Trump.