Ndërlidhjet

Kosovë: Shoqëria civile paralajmëron letër proteste drejtuar OKB-së


Kampi i komunitetit rom në Leposaviç, foto nga arkivi

Disa organizata joqeveritare në Kosovë të cilat merren me integrimin dhe të drejtat e komuniteteve pakicë, kanë paralajmëruar se do t’i drejtojnë një letër proteste Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), për shkak të vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres që kjo organizatë të mos i kompensojë pjesëtarët nga komunitetet rom, egjiptiane dhe ashkali, që pësuan nga helmimi prej mbetjeve të plumbit në kampet e ngritura nga UNMIK-u në veri të Kosovës.

Në vend të kompensimit dhe kërkim faljes, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka shprehur keqardhje për faktin se në kampet e ngritura nga UNMIK-u (administrata e OKB-së në Kosovë) në komunën veriore të Leposaviqit, disa personave u janë shkaktuar vuajtje të mëdha.

Në vend të kompensimit, Kombet e Bashkuara, sipas zëdhënësit të Guterres, Stephane Dujarric kanë vendosur që të krijojnë një “Fond Mirëbesimi”, i cili do të lehtësojë iniciativat bazë të komunitetit për të financuar “projektet e ndihmës”.

Por, drejtori i Organizatës Joqeveritare, “Avancojmë së Bashku”, Bashkim Ibishi thotë se Kombet e Bashkuara nuk kanë garantuar kompensimin dhe se për këtë çështje, së bashku me organizata tjera të shoqërisë civile do t’i drejtohen kësaj organizate me një letër.

“Ky projekti nuk garanton kompensim. Projekti nuk e zgjidh problemin e njerëzve të cilët kanë qenë të helmuar me plumb dhe të cilët kanë humbur anëtarët e familjeve të tyre ", ka thënë Ibishi.

Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch tha se Kombet e Bashkuara, "duke refuzuar të pranojnë abuzimet e tyre, minojnë seriozisht aftësitë e veta për t’iu bërë presion qeverive për shkelje të të drejtave të njeriut".

Vitin e kaluar, një panel këshillimor i OKB-së i formuar për të shqyrtuar ankesat e bëra kundër Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), i bëri thirrje OKB-së të mbajë përgjegjës UNMIK-un që lejoi familjet rome t’i ekspozoheshin helmimit nga plumbi në kampet për personat e zhvendosur nga lufta e Kosovës në vitin 1998 dhe 1999.

XS
SM
MD
LG