Ndërlidhjet

Kabul: Të shtëna në ajër dhe topa uji kundër protestuesve


Pamje kaosi nga protestat e 2 qershorit, Kabul
Pamje kaosi nga protestat e 2 qershorit, Kabul

Forcat afgane të sigurisë kanë shtënë në ajër, në afërsi të një turme protestuesish, të cilët po kërkonin dorëheqjen e qeverisë së presidentit Ashraf Ghani, dy ditë pasi një kamion me mjete shpërthyese vrau së paku 90 persona në Kabul.

Policia ka përdorur edhe topa uji për të shpërndarë protestuesit e mbledhur të premten, më 2 qershor, dhe për të parandaluar depërtimin e tyre në pallatin presidencial.

Disa protestues janë lënduar gjatë përplasjeve me focat e rendit. Disa prej tyre mbanin në duar fotografi të viktimave të sulmit, shumica e të cilëve ishin gra dhe fëmijë.

Të tjerët mbanin posterë me mbishkrimin: “Derisa Ghani të jetë në pallat, vdekja është pranë”.

Sulmi ka nxitur debatin mbi aftësinë e qeverisë së mbështetur nga Perëndimi për të mbrojtur qytetarët nga grupet militante në vend.

Asnjë nga këto grupe nuk ka marrë përgjegjësinë mbi sulmin.

Lëvizja Talibane ka mohuar të ketë qenë e përfshirë, ndonëse agjencia e lajmeve Reuters raporton se agjencia afgane e zbulimit beson se sulmi është kryer nga rrjeti Taliban Haqqani, me ndihmë nga Pakistani.

XS
SM
MD
LG