Kryqi i Kuq Britanik ka thënë se ka mbledhur më shumë se 13 milionë euro, gjatë një koncerti bamirës që u mbajt mbrëmë në Mançester. Koncerti vjen dy javë pas një bombardimi vetëvrasës që vrau 22 persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë.
Koncerti i titulluar One Love Manchester u mbajt të dielën nën masa të rrepta sigurie. Sipas organizatorëve, në koncert ishin më shumë se 50.000 pjesëmarrës.
Pjesë e koncertit ishte këngëtarja Ariana Grande, e cila ishte duke performuar më 22 maj kur ndodhi “shpërthimi masiv”.
Grupi militant, Shteti Islamik (IS) më pas mori përgjegjësinë për sulmin.
Koncerti i bamirësisë erdhi vetëm një ditë pasi tre terroristë me një furgon dolën jashtë rrugës dhe goditën disa këmbësorë në Londër. Të njejtit u larguan nga furgoni dhe sulmuan disa njerëz me thika, duke vrare shtatë persona dhe duke plagosur rreth 48 të tjerë.
Në koncertin e mbajtur mbrëmë në Mançester kanë marrë pjesë edhe këngëtarët si, Justin Bieber, Katy Perry, Coldplay, Take That, Liam Gallagher, Pharrell Williams dhe Robbie Williams.