Tre ushtarë amerikanë janë vrarë në Afganistan pasi një ushtar afgan hapi zjarr kundër tyre.
Attahullah Khogyani, zëdhënës i guvernatorit të provincës Nangarhar, tha se sulmi ka ndodhur në qarkun Açin.
Ai tha se trupat amerikane, së bashku me ato afgane, kanë qenë duke luftuar militantët e Shtetit Islamik kur ushtari afgan ka kthyer armët kundër tyre.
Talibanët kanë marrë përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se ai është kryer nga një pjesëtar i tyre, i cili ka depërtuar në ushtrinë afgane.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha se presidenti Donald Trump është informuar për ngjarjen në Afganistan.