Ndërlidhjet

Londër: Supozohet se numri i të vrarëve nga zjarri mund të rritet


Pamje e zjarrfikësve brenda ndërtesës së përfshirë nga zjarri në Londër

Policia në Londër thotë se numri i supozuar i personave të vrarë nga zjarrri më herët këtë javë në një ndërtesë shumëkatëshe, tash është 58 vetë.

Deri tash është konfirmuar se në këtë tragjedi janë vrarë 30 vetë, ndërsa 28 të tjerë konsiderohen të zhdukur apo supozohet se janë të vdekur, ka thënë sot komandanti i policisë së Londrës, Stuart Cundy.

Ndërtesën 24 katëshe, Grenfell Tower, e ka kapluar zjarri i fuqishëm në mëngjes të 14 qershorit.

Komandanti Cundy tha, po ashtu, se mund të ketë pasur më tepër njerëz në ndërtesë se sa konsiderohet tash, kështu që numri i të vrarëve mund të rritet përsëri.

Sipas tij, mund të kalojë edhe një javë, derisa përfundimisht të dihet numri i personave të vrarë nga ky zjarr i fuqishëm.

Cundy ka premtuar një hetim komplet lidhur me këtë zjarr.

Autoritetet e qytetit në Londër sot e kanë mbyllur një pjesë të sistemit të metros së qytetit, për shkak të rrezikut që mbetjet e zjarrit në ndërtesë të bijnë në binarët e afërt hekurudhorë.

Departamenti i zjarrfikjes tha se ekipet po punojnë për sigurimin e ndërtesës dhe për hapjen e dy linjave të metros, sa më parë që të jetë e mundur.

XS
SM
MD
LG