Ndërlidhjet

Janë gjetur trupat e pajetë të marinarëve amerikanë


Pamje e dëmeve të shkaktuara në luftanijen amerikane USS Fitzgerald pas ndeshjes me një anije transportuese
Pamje e dëmeve të shkaktuara në luftanijen amerikane USS Fitzgerald pas ndeshjes me një anije transportuese

Kërkimi për shtatë marinarë të Shteteve të Bashkuara, që ishin zhdukur pasi luftanija e tyre ishte ndeshur me një anije transportuese afër bregdetit të Japonisë, tashmë ka përfunduar pasi është gjetur “një numër” i trupave të pajetë, ka kumtuar sot Marina amerikane.

Në këtë kumtesë nuk specifikohet se sa trupa janë gjetur, por nënadmirali Joseph Aucoin, më vonë tha se kërkimi për të zhdukurit kishte përfunduar dhe se nuk do të jepen detaje të tjera, derisa të informohen familjet e viktimave.

Dje është raportuar se shtatë marinarë ishin zhdukur pasi luftanija amerikane, USS Fitzgerald ishte ndeshur me anijen tranportuese me flamur të Filipineve, ACX Crystal, duke shkaktuar dëme të mëdha në luftanijen amerikane. Në këtë anije ishin 285 anëtarë të ekuipazhit.

Për këtë incident të rëndë po zhvillohen hetime, ndërsa nënadmirali, Joseph Aucoin, tha se anëtarët e ekuipazhit “e parandaluan përmbysjen ose bile edhe fundosjen”.

“Nuk mund të them se sa jam krenar për ekuipazhin dhe për atë që ata kanë bërë për ta shpëtuar anijen”, tha Aucoin.

XS
SM
MD
LG