Ndërlidhjet

Lumezi: Terrorizmi – problem me të cilin po ballafaqohet bota


Aleksandër Lumezi
Aleksandër Lumezi

Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, ka thënë sot në Prishtinë se “terrorizmi është një problem ndërkombëtar me të cilin po ballafaqohet bota” dhe ka sahtuar se “më shumë se kurrë kërkohet një koordinimi edhe më i ngushtë, bashkërendimi i aktiviteteve, shkëmbimit të informatave dhe të gjitha formave tjera të bashkëpunimit ndër fqinjësor e ndërkombëtar për një luftim sa më efikas kundër kësaj të keqeje të përbashkët që ka një emër të frikshëm: terrorizmi”.

Këto komentet Lumezi i ka bërë në punëtorinë me temë Financimi i Terrorizmit dhe Pastrimi i Parave, që është organizuar nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-ve, Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnimin e Hetimeve Penale (ICITAP) dhe Programi për Ndihmë, Trajnim dhe Zhvillim Prokurorial Jashtë Vendit (OPDAT) në Kosovë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeprokurori ka deklaruar se grupe të ndryshme nëpër vende të ndryshme duket se kanë zgjedhur që qëllimet e tyre politike, ideologjike apo të besimeve fetare, t’i arrijnë përmes dhunës dhe terrorit.

Ai theksoi, po ashtu, se Kosova dhe sistemi prokurorial i saj i ka dhënë rëndësi të posaçme luftimit të terrorizmit dhe në këtë drejtim sistemi prokurorial i ka goditur në themel aktivitetit dhe grupet terroriste.

"Nuk mungojnë as aktgjykimet dënuese. Gjatë vitit 2016 kemi pranuar 37 kallëzime penale me 103 persona ndërsa kemi zgjidhur 28 kallëzime penale me 66 persona. Ndërsa, gjatë periudhës janar – mars 2017, kemi pranuar 1 rast me 3 persona dhe kemi zgjidhur 6 kallëzime penale me 8 persona", thuhet pos tjerash në një komunikatë nga kryeprokuroria.

Një aspekt shumë i rëndësishëm i luftimit të terrorizimit, ka thënë Lumezi, është edhe financimi i terrorizmit dhe pastrimi i parave.

"Gjatë vitit të kaluar kemi pasur ngrirje të parave të gatshme në vlerë prej 500 mijë eurove, kur para të dyshimta janë pranuar në llogari të disa individëve brenda vendit. Lufta e tillë duhet të përshkallëzohet dhe me konfiskimin e pasurive tjera të grupeve të tilla duke pamundësuar sa më shumë që është e mundur zhvillimin e aksioneve me pasoja të tmerrshme për civilët e pafajshëm, ngase ata pothuajse në shumicën e rasteve janë shënjestra e terroristëve", ka thënë kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi.

XS
SM
MD
LG