Ndërlidhjet

Kremlini: Putin dhe Trump takohen gjatë samitit të G20-tës


Vladimir Putin dhe Donald Trump (djathtas)

Kremlini thotë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohet me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 7 korrik në Hamburg të Gjermanisë, gjatë samitit të grupit G20.

Ky do të jetë takimi i parë ballë për ballë ndërmjet dy zyrtarëve të lartë, prej se Trump në janar të këtij viti e filloi presidencën e tij, pas fitores në zgjedhjet e vitit 2016.

Komuniteti i Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara e ka akuzuar Moskën për përpjekje për ndikim në këto zgjedhje, me sulme kiberntetike dhe fushatë propaganduese.

Rusia i ka hedhur poshtë këto akuza.

Shtëpia e Bardhë më parë ka konfirmuar se Trump dhe Putin do të takohen gjatë samitit të G20-tës, më 7 dhe 8 korrik në Hamburg të Gjermanisë, por duke mos e specifikuar datën e sakt.

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, H. R. McMaster , tha në fund të muajit të kaluar se nuk ekziston “agjendë specifike” për takimin e Trumpit me Putinin.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se është veçanërisht e rëndësishme që të dy presidentët të diskutojnë për luftën në Siri.

Në samitin G20 do të marrin pjesë shefat e shteteve dhe qeverive të fuqive udhëheqëse ekonomike në botë, për të diskutuar për luftën kundër terrorizmit, ndryshimeve klimatike, tregtinë e lirë dhe çështje të tjera.

XS
SM
MD
LG