Ndërlidhjet

Berlini paralajmëron sulme të reja terroriste


Presidenti i Agjencisë për Inteligjencë në Gjermani, Hans-Georg Maassen

Gjermania duhet të mobilizohet nga sulmet e ardhshme terroriste, pas rritjes së numrit të militantëve islamistë në këtë shtet, ka paralajmëruar një zyrtar i lartë i sigurisë.

Gjermania ka qenë cak i pesë sulmeve të tilla gjatë vitit 2016, duke përfshirë edhe sulmin në tregun e Krishlindjeve në Berlin, në të cilin u vranë 12 persona, derisa shtatë sulme të tjera kanë dështuar të realizohen, u ka thënë gazetarëve, presidenti i Agjencisë për Inteligjencë në Gjermani, Hans - Geog Maassen.

“Ne duhet të jemi të gatshëm të presim sulme të tjera nga individë apo grupe terroriste”, ka thënë Maaseen.

Në raportin e përgjithshëm të kësaj agjencie në vitin 2016, thuhet se në Gjermani janë 24,400 islamistë, në mesin e tyre 9,700 janë salafistë. Në raport po ashtu thuhet, se qindra “xhihadistë” kanë hyrë në këtë vend, në mesin e rreth 1 milion migrantëve që kanë shkuar në Gjermani gjatë dy viteve të kaluara.

Zyrtarët e sigurisë janë të vëmendshëm për mundësinë e 680 kërcënimeve potenciale islamike, shumica prej tyre të ndikuar nga ideologji salafiste, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Thomas de Maiziere.

Ai ka thënë se gjatë vitit të kaluar, Gjermania ka rritur në mënyrë dramatike përpjekjet e saj, për të luftuar militantët islamikë, me një numër rekord arrestimesh, ndjekjesh penale dhe dëbimesh.

Maassen ka thënë se rreth 930 persona kanë lënë Gjermaninë për të luftuar me grupin terrorist, Shteti Islamik, në Siri ose Irak, nga të cilët rreth 20 për qind kanë qenë gra.

Rreth 145 prej tyre kanë vdekur, ka shtuar më tutje ai.

XS
SM
MD
LG