Ndërlidhjet

Policia në përpjekje për sigurimin e rendit pas ditës së parë të G20-tës


Policia në Hamburg duke u konfrontuar me protestuesit

Policia gjermane është përpjekur për ta marrë kontrollin ndaj dhunës nëpër rrugët e qytetit Hamburg, derisa liderët botërorë ishin në darkë së bashku dhe morën pjesë në një koncert të muzikës serioze, pas ditës së djeshme, ditës së parë të samitit të grupit G20.

Tymi shihej në ajër mbi qytet, që ishte krijuar nga zjarret e shkaktuara nga një grup i vogël i radikalëve, që gjendeshin në mesin e afro 100 mijë protestuesve kundër globalizimit.

Ata shkaktuan ndezjen e dhjetëra automobilave dhe barrikadave, derisa kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti amerikan, Donald Trump, presidenti rus, Vladimir Putin, dhe liderët e tjerë, i dëgjoninin tingujt e simfonisë së 9-të të kompozitorit Beethoven.

Pas një dite të zjarreve, plaçkitjeve dhe shkatërrimeve të tjera të protestuesve të së majtës ekstreme, komandosët e armatosur policorë, me përdorim të makinave të blinduara, topave të ujit dhe gazit lotsjellës, duket se në të shumtën e rasteve me sukses i pastronin rrugët e qendrës së Hamburgut gjatë mëngjesit të sotëm.

Megjithatë, afro 200 prej 20 mijë policëve në rrugët e këtij qyteti, kanë pësuar lëndime të vogla, ndërsa policia i ka arrestuar 19 vetë dhe dhjetëra të tjerë janë paraburgosur, pas dy ditëve të përleshjeve në Hamburg. Dhjetëra protestues, po ashtu, janë lënduar.

Kancelarja Merkel ka vlerësuar se dhuna është “e papranueshme”.

Dita e dytë e samitit të grupit G20-të vazhdon sot.

XS
SM
MD
LG