Ndërlidhjet

Kadyrov kritikon dënimet për vrasjen Nemtsovit


Lideri çeçen, Ramzan Kadyrov

Ramzan Kadyrov, udhëheqësi i vendosur nga Kremlini në krye të Republikës së Çeçenisë, ka kritikuar dënimin e pesë çeçenëve për vrasjen e politikanit opozitar rus, Boris Nemtsov më 2015.

Sipas një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë çeçene, Kadyrov i ka thënë qeverisë se pesë personat janë dënuar mbi “prova të dyshimta”.

Kadryov ka thënë se është befasuar nga kërkesa e prokurorëve për shqiptimin e dënimit me burg të përjetshëm për Zaur Dadayev, duke thënë se ai nuk mban mend një dënim të tillë për raste të ngjashme kriminale.

Në një video incizim pas takimit, Kadyrov e ka përshkruar Dadayev si person “plotësisht të pafajshëm”.

Nemtsov, i cili ka qenë kritik ndaj Kadyrovit dhe presidentit rus Vladimit Putin, është vrarë afër Kremlinit më 27 shkurt 2015.

Për pesë çeçenët e lidhur me forcat e sigurisë së Kadyrovit janë shqiptuar dënime me burgim afatgjatë nga një gjykatë ushtarake e Moskës me 13 korrik.

Kadyrov ka thënë se vrasjet e çeçenëve dhe kaukazianëve të tjerë në qytetet ruse, janë injoruar nga aktivistët e të drejtave të njeriut.

Gjatë kësaj jave, Amnesty International i ka bërë thirrje Kremlinit të hetojë një raport të Novaya Gazeta, në të cilin thuhet se 27 persona janë ekzekutuar nga forcat e sigurimit çeçen në janar.

Forcat e sigurimit të kontolluara nga Ramzan Kadyrov janë akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut, duke përfshirë torturën dhe vrasjet.

XS
SM
MD
LG