Ndërlidhjet

Teuta Rugova jep sqarime shtesë për takimin me Haradinajn


Pamje nga seancat e kaluara të Kuvendit
Pamje nga seancat e kaluara të Kuvendit

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Rugova, i ka dhënë mbështetje verbale kandidaturës së Ramush Haradinajt nga koalicioni PAN, për postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.

Ndonëse nuk ka thënë decidivisht se do ta votojë Haradinajn për kryeministër, e bija e presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, themeluesit të LDK-së, megjithatë ka konfirmuar mbështetjen për Haradinajn.

“Unë kërkoj nga strukturat udhëheqëse të LDK-së, që në Qeverinë e gjerë dhe stabile që po kërkohet nga miqtë tanë të përhershëm, SHBA-të dhe BE-ja, në marrëveshjen e koalicionit, para ndarjes së përgjegjësive qeveritare të vendosen prioritetet për qytetarët e Kosovës, e që janë: formimi i ushtrisë, zgjidhja e problemit të demarkacionit që do të rezultonte me liberalizim vizash, reforma zgjedhore dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Teuta Rugova në rrjetin social Facebook.

Paraprakisht familja Rugova ka pritur në shtëpinë e tyre Ramush Haradinajn.

“Nuk është e drejta jonë të injorojmë votën e qytetarit, por nuk është as e drejta jonë të injorojmë bashkëpunimin e ngushtë të babait tim, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova me Ramush Haradinajn. Unë ju siguroj se babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në situatën e sotme kurrsesi nuk do të kishte udhëhequr LDK-në në asi mënyre që të bllokoj proceset dhe të injoroj rekomandimet e miqve tanë të përhershëm, SHBA-ve dhe BE-së”, është shprehur Rugova.

Ndërkaq, në një postim tjetër sqarues, Teuta Rugova thotë se mbetet pjesë e strukturave të LDK-së dhe qëndrimeve të partisë.

XS
SM
MD
LG