Ndërlidhjet

Erdogan, ndërmjetësues i krizës në Gjirin Arab


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan së bashku me Mbretin Salman nga Arabia Saudite

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka arritur në Kuvajt, kësaj here si ndërmjetësues në mes të Katarit dhe katër vendeve të tjera arabe, të udhëhequra nga Arabia Saudite.

Erdogan ka biseduar me emirin e Kuvajtit, Sabah Al Ahmed Al Sabah, ka raportuar agjencia e lajmeve Kuna, pa dhënë detaje shtesë.

Presidenti turk ka udhëtuar edhe në qytetin saudit, Jeddah, dhe ka takuar Mbretin Salman, për të diskutuar rreth luftimit të ekstremizmit dhe çështjeve të tjera financiare.

Lideri turk do të vizitojë sot Katarin, në kuadër të udhëtimit të tij 2 ditorë.

Arabia Saudite, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipi dhe disa shtete tjera kanë prishur të gjitha marrëdhënët me Katarin, duke e akuzuar për mbështetje të grupeve ekstremiste, dhe bashkëpunim të ngushtë me Iranin.

Katari i mohon këto akuza, duke thënë se është i gatshëm për rregullim të marrëdhënieve, deri në momentin kur respektohet sovraniteti i këtij vendi.

“Nuk është në interesin e askujt, zgjatja e mëtejme e kësaj krize”, ka thënë Erdogan.

Ai ka akuzuar “armiqtë” për “ ngritjen e tensioneve në mes të vëllezërve”, në këtë rajon.

Erdogan ka shtuar se Arabia Saudite si vend “me udhëheqësin më të vjetër në rajonin e Gjirit Arab”, duhet të luajë “ një rol të madh” në zgjidhjen e krizës.

Deri më tash kanë dështuar të gjitha përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhje të krizës mes këtyre vendeve.

Në Katar gjendet në bazë ushtarake turke me rreth 1000 ushtarë.

Në këtë vend gjendet edhe baza ushtarake e SHBA-së me rreth 10,000 ushtarë, vend prej të cilit mbikqyren operacionet në Siri, Irak dhe Afganistan.

XS
SM
MD
LG