Ndërlidhjet

SHBA dhe Koreja Jugore bashkohen kundër Koresë V.


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump (majtas) dhe presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in (djathtas).
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump (majtas) dhe presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in (djathtas).

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in, janë pajtuar përmes një bisede telefonike, të shtojnë maksimalisht presionin ndaj Koresë Veriore, pas premtimit të Penjanit për avancimin e arsenalit bërthamor.

Përmes një deklarate të ndarë, Shtëpia e Bardhë, ka thënë se dy liderët “janë pajtuar se Koreja Veriore përbën kërcënim direkt”, për shumicën e vendeve në botë.

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka votuar në mënyrë unanime më 5 gusht, për t’i vënë sanksione të reja Penjanit, duke i bërë presion të ndalojë programin bërthamor.

Rusia dhe Kina, ndonëse mbështetëse për një kohë të gjatë të Koresë Veriore, kanë votuar në favor të sanksioneve.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, i ka quajtur sanksionet si, ”pakoja më e madhe me sanksione ekonomike e drejtuar ndonjëherë kundër Koresë Veriore”.

Për më shumë, SHBA-ja, Australia dhe Japonia, i kanë bërë thirrje sot komunitetit ndërkombëtar t’i bëjë presion Koresë Veriore, të ndalojë “veprimet provokative” dhe të zbatojë masa diplomatike dhe ekonomike mbi Penjanin për testimet e raketave.

Koreja Veriore ka premtuar se do të hakmerret kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një deklaratë të lëshuar sot nga qeveria e Koresë Veriore është thënë se sanksionet janë “shkelje e sovranitetit”, e cila është shkaktuar nga SHBA-ja me qëllim të izolimit të këtij vendi.

Në deklaratë thuhet se sanksionet e OKB-së kurrë nuk do të mund ta detyrojnë vendin të diskutojë rreth programit bërthamor, apo t’i jap fund përpjekjeve për fuqizim të kapaciteteve nukleare.

Gjatë muajit të kaluar, Penjani ka testuar dy raketa balistike interkontinetale, në kuadër të përpjekeve për të arritur në çdo pjesë të territorit të SHBA-së.

XS
SM
MD
LG