Ndërlidhjet

Kina përballet me rritje drastike të kancerit në mushkëri


Pekin, Kinë

Kina është duke u përballur me një rritje të shpejtë të rasteve me kancer në mushkëri gjatë 10-15 viteve të fundit, duke konsideruar ajrin e ndotur si një prej fajtorëve për këtë gjendje, ka raportuar China Daily, duke cituar zyrtarë mjekësorë.

Ekspertë të Akademisë së Kinës për Shkenca Mjekësore, kanë thënë se numri i rasteve të kancerit në mushkëri është duke u rritur drastikisht, duke përshirë edhe ata që nuk konsumojnë duhan.

Në Kinë, konsiderohet të jenë rreth 300 milionë konsumues të duhanit, mirëpo raporti tregon se si kanceri që po zhvillohet në thellësi të mushkrive, nuk ka të bëjë me efektet e duhanit.

Kina përballet me nivele të jashtëzakonshme të ajrit të ndotur, derisa edhe organizata të ndryshme në botë, i kanë bërë thirrje këtij vendi për marrjen e masave.

Sipas një studimi të publikuar gjatë këtij viti, në një revistë shkencore të Britanisë së Madhe, thuhet se Kina do të mund të parandalojë vdekjen e parakohshme të 3 milionë personave, në rast se do t’ju përmbahej udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për ngritjen e cilësisë së ajrit.

Sipas të dhënave të fundit, në Kinë vetëm gjatë vitit 2015, kanë qenë rreth 4.3 milionë pacientë të rinj me kancer, duke përfshirë 730,000 me kancer në mushkëri.

XS
SM
MD
LG