Ndërlidhjet

Ukraina mohon të ketë furnizuar Korenë V. me pajisje raketore


Sekretari i Këshillit për Siguri dhe Mbrojtje në Ukrainë, Oleksandr Turchynov.
Sekretari i Këshillit për Siguri dhe Mbrojtje në Ukrainë, Oleksandr Turchynov.

Ukraina ka thënë se nuk e ka furnizuar kurrë Korenë Veriore me motorë të raketave, duke reaguar pas një raporti të publikuar nga gazeta New York Times, e cila duke cituar ekspertë ka thënë se Penjani mund të jetë duke blerë pajisje raketore nga një fabrikë në Ukrainë.

“Ukraina nuk e ka furnizuar kurrë Korenë Veruore me motorë të raketave apo ndonjë pajisje tjeter raketore”, ka thënë përmes një deklarate, sekretari i Këshillit për Siguri dhe Mbrojtje në Ukrainë, Oleksandr Turchynov.

Në artikullin e 14 gushtit, New York Times, ka raportuar se ekspertët besojnë që një fabrikë e pajisjeve raketore në Ukrainë, “ ka më së shumti mundësi të jetë burimi i motorëve”, e cila mundësoi, testimin e dy raketave balistike interkontinentale në korrik të këtij viti.

Sipas po këtij raporti, thuhet se fabrika e kontrolluar nga shteti, e njohur si Yuzhmash, nuk është shumë larg prej territorit të pushtuar nga separatisët pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Në këtë raport është cituar edhe një projekt kërkimor nga Michael Elleman, ekspert për raketa, në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, me bazë në Londër.

”Ka mundësi që këto pajisje të kenë ardhur nga Ukraina, në mënyrë ilegale”, i ka thënë Elleman gazetës.

“Pyetja më e madhe është nëse ukrainasit janë duke iu ndihmuar verikoreanëve edhe tani. Jam shumë i shqetësuar”, ka shtuar tutje ai.

XS
SM
MD
LG