Ndërlidhjet

Jemeni fajëson Iranin për luftën civile brenda vendit


Disa mbështetës të rebelëve huthë, Jemen

Ministri i Jashtëm i Jemenit, Abdulmalik al-Mekhlafi, e ka fajësuar Iranin për mbështetjen e rebelëve shiit huthë, në nxitjen e luftës civile në këtë vend, duke thënë se Teherani nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes së këtij probemi.

"Iran është shkaktar i problemit, Irani vazhdon të mbështesë huthët, armët iraniane janë kontrabanduar. Irani është pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes së tij”, ka thënë ministri i Jashtëm, Abdulmalik al-Mekhlafi, derisa është pyetur nga gazetarët në Nju Jork, nëse Teherani do të kontribonte në ndonjë zgjidhje politike në Jemen.

Irani e ka hedhur poshtë faktin për furnizmin me armë për rebelët shiit, huthë.

Ambasadori i Arabisë Saudite në Kombet e Bashkuara, Abdallah Al-Mouallimi, e ka sulmuar po ashtu Iranin, gjatë një takimi me diplomatët e OKB-së, për situatën në Jemen.

“Irani nuk ka ndonjë rol në rajon”, ka thënë amsadadori Al-Mouallimi.

Arabia Saudite e mbështet qeverinë e Jemenit në luftën e saj civile me huthët.

Jemeni përballet me luftë civile nga viti 2014, pasi në atë kohë huthët e rrëzuan qeverinë.

Koalicioni i udhëhequr nga sauditët, iu bashkua luftës në mars të vitit 2015, derisa hetuesit e OKB-së, kanë gjetur lidhje të bombave të tyre me vdekjen e mijëra civilëve.

Deri më tash, të paktën 10,000 persona kanë vdekur, ndërsa më shumë se 44,000 të tjerë janë lënduar.

OKB-ja vazhdimisht ka paralajmëruar se civilët e vendit më të varfër në Lindjen e Mesme, përballen me mungesë të ushqimit dhe ujit të pijshëm.

Deri në muajin prill kanë vdekur nga kolera rreth 2,000 banorë të Jemenit, ndërsa 600,000 të tjerë pritet të preken nga ky infeksion gjatë këtij viti.

XS
SM
MD
LG