Ndërlidhjet

Oda Ekonomike Amerikane ndanë 13 mijë dollarë ndihmë për Teksasin


Texas: Houston
Texas: Houston

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe anëtarët e saj kanë ndarë mbi 13,000 dollarë amerikanë për zonën e Teksasit të prekur nga stuhia katastrofike.

Me këto mjete thuhet se do të mbështeten organizatat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat ofrojnë asistencë direkte për zonat dhe banorët e prekur nga vërshimet.

“Për t’u dalë në ndihmë zonave të prekura nga stuhia e përmasave katastrofike që ka goditur Gjirin e Teksasit, si njëra ndër fatkeqësitë më të rënda natyrore në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me dhjetëra të vdekur dhe dhjetëra mijëra persona të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka krijuar një fond të ndihmës financiare.”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga OEAK.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka citohet të ketë thënë se kontributi ka vlerë të lartë simbolike dhe “dëshmi e mirënjohjes së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar për Kosovën në kohërat më të vështira të saj”.

Ndërkohë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i kishte kërkuar edhe Qeverisë së Kosovës që t’i ndajë 100 mijë dollarë amerikan për t’i ndihmuar zonat e prekura në Huston.

“Ne, si shtet i ri, ende kemi probleme me varfërinë, por jemi popull solidar dhe që nuk harron kurrë ndihmën e popullit amerikan për Kosovën, kur ne ishim pllakosur nga vuajtjet e luftës në fund të shekullit të kaluar. Prandaj, i bëj thirrje dhe kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës që sa më shpejt të marrë vendim për ndarjen e së paku 100.000 dollarëve amerikan në ndihmë të familjeve amerikane të prekura nga kjo katastrofë”, thuhet në kërkesën e presidentit Thaçi.

XS
SM
MD
LG