Ndërlidhjet

Pak femra shqiptare në garën për zgjedhjet lokale në Maqedoni


Foto nga arkivi

Partitë politike shqiptare në Maqedoni në garë për zgjedhjet lokale të caktuara më 15 tetor, drejtimin e komunës ia kanë besuar vetëm një gruaje - Teuta Arifi, e cila do të garojë për të marrë besimin nga elektorati në komunën e Tetovës edhe për një mandat.

Partitë politike shqiptare, madje, nuk ia kanë besuar asnjë femre drejtimin e shtabeve partiake për organizimin e zgjedhjeve vendore.

Aktivistet për të drejtave të grave thonë se proceset e përgjithshme shoqërore, me theks, ato politike, kanë pësuar një lloj depresioni duke shkaktuar një ngecje nëse jo dhe kthim prapa, sa i përket avancimit të pozitës së femrës në Maqedoni në kuadër të politikë-bërjes, duke e vendosur në listat për këshilltare sa për të plotësuar Ligjin për përfaqësim gjinor.

Ermira Mehmeti, ish-deputete e cila ka mbajtur poste të larta në Bashkimin Demokratik për Integrim, thotë për Radion Evropa e Lirë se debati politik shqiptar sot nuk dominohet nga tema, me të cilat do të duhej të dominohej një debat bashkëkohor. Sipas saj, ky debat është i dominuar nga folklori, nga fryma popullore në një farë fryme tradicionaliste.

“Femra shqiptare në Maqedoni nuk ka një pozicion progresiv, afirmativ, por ka një pozicion të heshtur pothuajse margjinal dhe inekzistent në politikë. Për mua është shokuese që Bashkimi Demokratik për Integrim, si partia më e madhe nga fotografitë promovuese që shohim, nuk e ka as edhe një femër të vetme".

"E njëjta gjë ndodh edhe me partinë e re BESA, e cila thotë se është bashkëkohore, por rreth vetes nuk ka asnjë femër në aktivitetet partiake. Në këtë drejtim, duket se mundohet Aleanca për Shqiptarët, por një zë të artikuluar të femrës në këtë fushatë te partitë politike shqiptare, ne nuk po shohim”, thotë Mehmeti, e cila kohë më parë kishte deklaruar se tërhiqet nga të gjitha aktivitetet në parti, duke u fokusuar në profesionin e saj si notere.

Nga ana tjetër, Gjyla Çeliku, aktiviste për përfaqësimin e femrës shqiptare në politikë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se femra shqiptare në Maqedoni përfaqësohet sa për sy e faqe, sa për të plotësuar dispozitën ligjore që çdo i treti kandidat në listën për këshilltarë komunalë të jetë nga gjinia femërore. Mirëpo, realisht femra shqiptare mbetet një zë i heshtur në politikë.

“Politikat patriarkale janë bërë traditë këtu në Maqedoni dhe për fat të keq edhe udhërrëfyes edhe për partitë e reja në skenën politike të Maqedonisë. Faji për këtë sa është i politikës së partive të burrave, siç do t`i quaja unë, është dhe i grave brenda partive politike”.

“Shtrohet pyetja pse? Sepse ato gra janë të kënaqura me privilegje të vogla që u ofron partia, madje edhe në fund të listës vetëm për të plotësuar kuotat në bazë të ligjit, por pa logjikuar se i bëjnë dëm vetes së tyre po edhe grave të tjera duke ua zënë vendin atyre që vërtet kanë aspirata për të qenë një zë i fuqishëm për avancimin e statusit të femrës shqiptare në Maqedoni”, vlerëson Çeliku nga Këshilli Iniciativa për përfshirjen e grave në politikë.

Ajo shton se “duhet imponuar edukimi i gjeneratave më të reja në frymën e respektimit të barazisë gjinore, në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe politike​. Edhe ato pak gra që i kemi në politikë, ne nuk i shohim se ngrenë zërin në partitë ku veprojnë për një përfaqësim adekuat në politikë-bërje, gjë që e lehtëson vazhdimin e diskriminimit”.

Nga ana tjetër, Ermira Mehmeti thotë se partitë politike në ofertat zgjedhore pothuajse nuk prekin fare problemet, me të cilat përballen femrat shqiptare në Maqedoni.

“Ju do të shikoni në programet zgjedhore që kanë prezantuar partitë politike deri më tani. Pjesa që ka të bëjë me çështjet gjinore zakonisht përbëhet nga dy deri në tre paragrafë emfaza të zbrazëta zakonisht të kopjuara nga ndonjë faqe interneti, por në fakt aty nuk shohim asnjë masë konkrete se çfarë realisht duhet bërë dhe si duhet t’u qasemi problemeve, me të cilat përballet femra shqiptare ne Maqedoni".

"Gruaja shqiptare në Maqedoni është edhe viktimë e dhunës në familje, kemi edhe gra shqiptare që janë nëna të vetme edhe mbajnë familje, gruaja shqiptare nuk është e përfshirë në marrëdhënie pune dhe ka nevojë për një lloj përkrahje sociale,materiale etj. Të gjitha këto janë probleme aktuale të shoqërisë moderne në Maqedoni, por politika nuk ka as vesh dhe as projeksion se si t’i trajtojë këto probleme, me të cilat përballet femra shqiptare në Maqedoni”, thekson Mehmeti.

Ndryshe në zgjedhjet e fundit lokale të cilat u mbajtën në vitin 2013, prej 80 komunave dhe qytetit të Shkupit si njësi e veçantë e vetë-administrimit lokal, vetëm 4 komuna iu besuan grave që t’i udhëheqin, prej tyre njëra vjen nga partitë politike shqiptare.

Organizatat që në fokus kanë të drejtat e grave thonë se partitë politike shqiptare u bishtnojnë dispozitave ligjore që garantojnë barazi gjinore, duke i përfshirë gratë në kuadër të kuotave për vendet e garantuara për gjininë femërore, por pa ua besuar atyre pozitat vendimmarrëse.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG